Saturday, April 11, 2020

Niçe 100

Së fundi, çfarë është shprehja vulgare? Fjalët janë nota muzikore që përfaqësojnë koncepte; por konceptet janë shenja pak a shume të përcaktuara që përfaqësojnë ndjenja, shpesh që përsëriten dhe përsëriten së bashku, janë grupe ndjenjash. 
Për t'u kuptuar nuk mjafton vetëm të përdorësh të njëjtat fjalë. Eshtë e nevojshme të përdorësh
edhe të njëjtat fjalë për të njëjtin lloj të përvojave shpirtërore, dhe së fundi është e nevojshme të kesh përvojën tënde bashkë me të tjerët.
Për këtë arsye pjesëtarët e një populli kuptohen më mirë midis tyre se sa me pjesëtarët e popujve të ndryshëm, edhe sikur të përdorin të njëjtën gjuhë; ose më mirë akoma kur qeniet njerëzore kanë jetuar për një kohë të gjatë në kushte të ngjashme (të klimës, tokës, rrezikut, nevojave, punës), nga kjo gjë del diçka që kuptobet: një popull.
Në të gjitha shpirtrat ka një numër të barabartë përvojash shpesh të përsëritshme që ka fituar epërsi mbi të tjera më rrallë të përsëritshme: në themel të tyre merremi vesh me nxitim dhe gjithnjë e më me nxitim (historia e të folurit është historia e një procesi shkurtimi), dhe mbi
këtë mirëkuptim të shpejtë lidhemi më ngushtë dhe gjithnjë e më ngushtë. 
Sa më e madhe është rrezikshmëria, aq më e madhe është nevoja për t'u marrë vesh me lehtësi dhe shpejtësi për atë gjë që është e
domosdoshme; të mos keqkuptohesh në rrezik është diçka për të cilën qeniet njerëzore nuk munden aspak të bëjnë pa të. Deri edhe në çdo
miqësi dhe dashuri provohet kjo gjë: asgjë e këtij lloji nuk vazhdon më sapo zbulohet që njëri nga të dy provon ndjenja, mendime, dyshime, dëshira, druajtje të ndryshme nga tjetri në lidhje me të njëjtat fjalë.

(Druajtja e "keqkuptimit të përjetshëm" është ai gjeni dashamirës që aq shpesh ndalon njerëz të sekseve të ndryshme nga lidhje të nxituara të cilat ua këshillojnë ndjenjat dhe zemra: dhe jo ndonjë "gjeni e llojit Shopenhaurian!) Grupi i ndijimeve që zgjohet në fillim në brendësi te një shpirti, që merr fjalën, që urdhëron, vendos për klasifikimin e plote të vlerave të tij dhe së fundi vendos tabelën e saj të të mirave.

Vlerësimet e një qenieje njerëzore zbulojnë diçka të ndërtimit të shpirtit në çfarë gjëje ajo shikon kushtet e saj jetësore dhe nevojën e saj
të vërtetë. Prandaj meqë nevoja prej kohësh që nuk mbahen mend ka afruar midis tyre vetëm qenie njerëzore që mund të tregonin me shenja të ngjashme përvoja të ngjashme, nevoja të ngjashme, përgjithësisht nga kjo del se komunikueshmëria e lehtë e nevojës, gjë që, në fund të fundit, shpreh përvojën e gjërave vetëm mesatare dhe të zakonshme, midis të gjitha forcave të përdorura deri më sot nga qeniet njerëzore, duhet të ketë qenë më e dhunshmja. Qeniet njerëzore më të ngjashme, dhe më të zakonshme ishin dhe janë gjithmonë në avantazh; më të kërkuarit, më të stërholluarit, më të rrallët, më të vështirët për t'u kuptuar me
lehtësi ngelen vetëm, në veçimin e tyre u nënshtrohen fatkeqësive dhe rrallë herë transplatohen. 
Është e nevojshme të kërkosh ndihmën e kundërforcave të pafunda për t'i kundërvënë këtij progresi të natyrshëm midis të ngjashmëve vazhdimin e qenies njerëzore tek i ngjashmi, tek i zakonshmi, tek mesatari, tek qenia e tufës: pra, tek i përgjithshmi.