Gjeniu me zemër, i cili e ka atë të fshehtë të madhe, "zot" tundues dhe fyelltar magjik gjahtar ndërgjegjesh, zëri i të cilit di të zbresë në botën skëterrë të çdo shpirti, që nuk thotë asnjë fjalë, nuk hedh asnjë vështrim në të cilin të mos ketë një përkujdesje dhe një thellësi të joshjes, në mjeshtërinë e të cilit bën pjesë fakti që është i zoti të shfaqet, dhe jo për atë që është, por për atë që, për ata që e ndjekin, është një detyrim më shumë për t'u shtyrë gjithnjë e më afër atij dhe për ta ndjekur më nga afër dhe më në thellësi; gjeniu me zemër i cili bën të heshtë çdo zhurmë dhe çdo kënaqësi dhe që mëson të tjerët për të dëgjuar, që lëmon shpirtrat e vrazhdë dhe u jep atyre për të shijuar një dëshirë të re, atë të të qëndruarit në heshtje si një pasqyrë në të cilën pasqyrohet qielli i thellë; gjeniu me zemër që i mëson dorës së ngathët dhe të nxituar të presë dhe të kapë me kujdes; gjeniu me zemër që e merr me mend thesarin e fshehur dhe të harruar, pikën e shpirtmirësisë dhe të karakterit të ëmbël shpirtëror nën akullin e errët dhe të trashë, dhe që është një shkop magjistari për çdo pikë floriri, e cila ka ngelur për një kohë të gjatë e varrosur në burgun e baltës së shumtë dhe të rërës; gjeniu me zemër nga takimi me të cilin secili largohet i pasuruar, jo i falur dhe i mahnitur, jo i ndihmuar dhe i shtypur nga një shpirtbardhësi e huaj, por i pasur në vetvete, për veten më i ri se më parë, i hapur, i lulëzuar i ruajtur nga një erë që shkrin, ndoshta më i pasigurt, më i brishtë, më i thjeshëm, më i copëtuar, por i mbushur me shpresa që nuk kanë ende një emër, plot me dëshirë dhe baticë të re, plot me ngurrim dhe zbaticë të re... por çfarë po bëj, o miqtë e mi? Për kë po ju flas? Kaq i harruar paskam qenë pas vetes sa të mos ju kem përmendur as emrin e tij? Gjithmonë që të mos e keni marrë me mend ju vetë cili është ky shpirt dhe "zot" i dyshimtë, i cili në këtë dëshiron të lavdërohet. Siç i ndodh në të vërtetë, që i vogël, atij që është gjithmonë në udhëtim dhe në tokë të
huaj, po kështu edhe unë kam kryqëzuar disa shpirtra të rrallë dhe jo pak të rrezikshëm, por mbi të gjitha pikërisht ata për të cilët po flisja
dhe në mënyrë të përsëritur: deri edhe "perëndia" Dionis, atë "perëndi" të dyshimtë dhe joshës, të cilit, siç e dini, dikur në fshehtësi të
madhe dhe nderim të thellë i kam dhënë prodhimet e mia të hershme (më duket se unë qeshë i fundit që i bëra një propozim, meqenëse nuk gjeta asnjë që të kuptonte atë që bëra atëherë). Ndërkohë unë kam mësuar shumë gjëra, tepër për filozofinë e asaj "perëndie" dhe, siç thuhet, gojë më gojë, unë pasuesi i fundit dhe nxënësi i parë i "perëndise" Dionis: dhe më në fund a mund ta filloja mirë, për aq sa më lejohet, t'ju beja juve, miqtë e mi, të shijonit pak nga ajo filozofi. Me gjysmë zëri, siç është e qartë, meqenëse bëhet fjalë për diçka të fshehtë, të re, të huaj, mahnitëse, shqetësuese. Në fillim fakti që Dionisi është një
filozof dhe pastaj që edhe "perënditë" hiqen si filozofë, më duket një gjë e re jo e padëmshme dhe ndoshta do të ngjallte mosbesim pikërisht
midis filozofëve: midis jush, miqtë e mi, ka tani më pak armiqësi, jo luftë, kjo merret vesh tepër vonë dhe në një çast të papërshtatshërn ngaqë
sot pa dashur besoni, ashtu siç më del mua, tek " perënditë ".
Mos vallë me lirinë e tregimit tim unë duhet të shkoj më larg se ajo që është gjithmonë e pëlqyeshme për veshët tuaj? Sigurisht, "perëndia" e mësipërme në bashkëbisedime të tilla dyshe shkoi më larg, shumë më larg dhe gjithmonë ishte shumë hapa para meje.…. Po, në rast se pranohet kjo, unë do t'i vija, sipas zakonit njerëzor, emra të bukur madhështorë dhe të mirë, të tillë sa t'i jepnin lavdi të madhe guximit të tij si kërkues dhe zbulues, besnikërisë së tij të guximshme, çiltërsisë dhe dashurisë për pjekurinë. Por një "zot" i tillë nuk di se çfarë të bëjë me të gjithë këtë rrangalle dhe madhështi të nderuar.
“Mbaje për vete dhe për të gjithë ata që janë si ti" do të thoshte “dhe për atë që ka nevojë për të! Unë nuk kam arsye të mbuloj lakuriqësitë e mia!" A kuptohet që këtij lloji "perëndish" dhe filozofish ndoshta u mungon cipa? Dikur ai foli në këtë mënyrë: “Qenien njerëzore e dua me disa kushte" dhe duke folur kështu e kishte fjalën për Arianën që ishte e pranishme: "Për mua qenia njerëzore është një kafshë e këndshme, e guximshme, krijuese aq sa nuk ka shoqe mbi dhè: arrin t'ia dalë mbanë edhe në çdo labirint. Unë jam i mirë me të, mendoj shpesh si ta çoj përpara dhe ta bëj më të fuqishëm, më të keq dhe më të thellë nga ai që është".
"Më të fuqishërn, më të keq dhe më të thellë?" pyeta unë i frikësuar. "Po" përseriti ai “më të fuqishëm, më të keq dhe më të thellë, dhe madje edhe më të bukur" dhe në atë çast perëndia joshëse buzeqeshi me një buzëqeshje të pakuptueshme sikur të kishte thënë pikërisht një gjë të mirë të magjishme. Në të njëjtën kohë vihet te që kësaj "perëndie" nuk i mungon vetëm cipa: ka arsye të shumta për të hamendesuar se për disa gjëra "perënditë" të gjitha së bashku mund të vinin në shkollë tek ne qeniet njerëzore. Ne qëniet njerëzore jemi më njerëzore...
NIÇE