Një specie formohet, një tip përforcohet dhe forcohet, duke luftuar gjatë kundër kushteve të papërshtatshme në thelb të njëllojta. Përkundrazi, nga përvoja e rritësve del se speciet të cilave u jepet një ushqim tepër i bollshëm dhe, në përgjithësi, më shumë mbrojtje dhe përkujdesje, priren shumë më shpejt në mënyrën më të dukshme për ndryshime të llojit dhe janë të mbushura me çudira dhe përçmime (edhe me vese të përçudnuara).
Tani le të vështrojmë një bashkësi aristokratike, për shembull një polis të lashtë grek, ose Venecien, si një institucion, i vullnetshëm apo i
pavullnetshëm, për qëllim edukimi: aty janë të mbledhura qenie njerëzore që varen vetëm nga vetvetja, të cilët duan të bëjnë të njohur specien e vet, për më tepër sepse duhet të bëhen të njohur ose ndryshe do të ndodhen përpara rrezikut të tmerrshëm për t'u zhdukur. Këtu nuk është ajo gjendje e përshtatshme, ai bollëk i madh dhe ajo mbrojtje që u japin dorë ndryshimeve; specia ka nevojë për veten si specie, si diçka që në përgjithësi, në sajë të ashpërsisë së vet, të njëtrajtshmërisë, të thjeshtësisë së formës, është në gjendje të bëhet e njohur dhe të mbijetojë në luftën e vazhdueshme kundër të ngjashmit me të ose kundër të nënshtruarve që ngrejnë krye ose që kërcënojnë të ngrejnë krye. Përvojat më të ndryshme i mësojnë se në cilat karakteristika në mënyrë të veçantë duhet të jetë borxhlie që të vazhdojë ende të jetojë, pavarësisht nga gjithë "perënditë" dhe nga gjithë njerëzit, që t'ia arrijë të fitojë gjithmonë; këto karakteristika ajo specie i quan virtyt, dhe vetëm këto virtyte bëjnë të rritet dhe edukon. Ajo e bën me rreptësi, madje e do rreptësinë; çdo moral aristokratik eshtë i padurueshëm në edukimin e rinisë, në urdhërimin e grave, në zakonet martesore, në marrëdhëniet midis pleqve dhe të rinjve, në ligjet penale (të cilat kanë si pikësynim vetëm deviatorët): ajo e quan vetë padurimin midis virtyteve me emrin e "drejtësisë". Në këtë mënyrë përcaktohet, përtej ndërrimit të brezave, një tip me tipare të pakta por shumë të forta, një specie e njerëzve më të ashpër, më luftëtarë, me zgjuarsi më të heshtur, më të mbyllur dhe më të përmbajtur (dhe si të tillë shumë të ndjeshëm ndaj magjisë dhe ndaj nuancës të shoqërisë); lufta e vazhdueshme me kushte të papërshtatshme gjithnjë të njëjta është, siç kam thënë, shkaku i së vërtetës që një tip bëhet i ngurtë dhe i ashpër. Megjithatë më në fund, papritmas, vjen dhe krijohet një gjendje fatlume, tensioni i pafund bie: ndoshta, midis të ngjashmëve, nuk ka më armiq dhe ka mjete të bollshme mbijetese, madje edhe të tepërta, papritmas lidhja dhe detyrimi i edukimit të lashtë prishet, ai nuk ndihet më si i nevojshëm, si përcaktues për jetën: në qoftë se do të dëshironte të vazhdonte që të mbahej në këmbë, mund ta bënte vetëm si një formë të luksit, si shije arkaike. Papritmas është në skenë me vrullin dhe shkëlqimin më të madh ndryshimi, qoftë si modifikim (në diçka më të lartë, më të stërholluar, më të rrallë), qoftë si zvetënim dhe përçudnim: individi guxon të jetë individ dhe të lartësohet. Në ato çaste të ndryshimit historik spikasin, njëra pranë tjetrës dhe shpesh të ngatërruara dhe të ndërlikuara midis tyre, një rritje e mrekullueshme, e larmishme dhe një shtrirje drejt lartësisë të denjë për një pyll të pacënuar me një lloj ritmi tropikal në garën për t'u rritur, dhe një rrënim të pambarim dhe një vetërrënim në sajë të egoizmave egërsisht të drejtuara njëri kundër tjetrit, që shpërthejnë në të njëjtën kohë, që luftojnë midis tyre për "diell dhe dritë", dhe nuk arrijnë më të përfitojnë nga morali bashkëkohor kufij, caqe, nderime. Ishte vetë ky moral që përqëndroi fuqinë e jashtëzakonshme për ta shtrirë harkun në mënyrë aq kërcënuese: tani ai është dhe bëhet "pasjetues". Është arritur pika e rrezikshme dhe shqetësuese në të cilën jeta më e madhe, më e larmishme, më e gjerë jeton përtej moralit të lashtë; është "individi", i shtrënguar t'i japë të drejtë vetes, që gjen mjeshtëritë dhe dredhitë e veta të vetëruajtjes, të vetëlartësimit, të vetëçlirimit. Shumë "përse vallë" të reja, shumë “me çfarë" të reja, asnjë më formulë e zakonshme, keqkuptimi dhe përçmimi krah për krah së bashku, rënie, korrupsion dhe instinktet më të forta tmerrësisht të lidhura midis tyre, gjeniu i racës ku vërshon i gjithë bollëku i së mirës dhe i së keqes, një njëkohshmëri fatale e pranverës dhe e vjeshtës, mbarsur me magji te reja dhe maska të veta të korrupsionit të fundit dhe ende të pashterur dhe jo të zbrazët. Ja përsëri ku na del rreziku, zanafilla e moralit, rreziku i madh, kësaj here i zhvendosur tek individi, te fqinji dhe tek miku, në rrugë, tek fëmija yt, në zemrën tënde, në gjithçka që, në dëshirë dhe në vullnet, është më vetjake dhe më e fshehtë: çfarë do të kenë tani për të predikuar filozofët e moralit që dalin në këtë kohë? Ata, si vëzhgues të mpehtë dhe përtacë, zbulojnë se po shkohet me nxitim drejt fundit, se rreth e qark tyre gjithçka po shkatërrohet dhe po shembet, se asgjë nuk qëndron dot në këmbë deri pasnesër, përveç një race qeniesh njerëzore, të rëndomtët e të pandreqshëm. Vetëm të rëndomtët kanë mundësi për të vazhduar, për tu artisur: ata janë qeniet njerëzore të së ardhmes, të vetmit që ngelen gjallë. “Qofshi si ata! Bëhuni të rëndomtë!" përsërit pa pushim që nga kỵ çast i vetmi moral që vazhdon ende të ketë kuptim, që vazhdon ende të gjejë dëgjues. Por është i vështirë për t’u predikuar ky moral i mediokritetit! Kurrë nuk duhet pranuar ajo që është dhe ajo që dëshirohet! Duhet të flasë me maturi, dinjitet, me përkushtim dhe dashuri për tjetrin, dhe do të mundohet shumë për të fshehur ironinë!