Sunday, April 12, 2020

Niçe 102

Mendjemadhësia intelektuale dhe neveria e çdo qenieje njerëzore që ka vuajtur shumë (hierarkia midis qenieve njerëzore pothuajse
përcaktohet nga sa shumë ato mund të vuajnë), siguria e saj tërheqëse, me të cilën është mbushur dhe gjallëria e saj plotësisht, për të ditur në lidhje me vuajtjen e vet më shumë se më të urtët dhe më të diturit, për të njohur dikur dhe për të qenë dikur “të shtëpisë" në shumë botë të largëta dhe rrëqethëse për të cilat ju nuk dini asgjë!": kjo mendjemadhësi e heshtur intelektuale e atij që vuan, kjo krenari e të papëlqyerit të dijes, "të nismëtarit", të pothuajse të flijuarit, gjen medoemos të gjitha format e maskimit për t'u mbrojtur nga prekja me duar të papërshtatshme dhe të mjerueshme, dhe sidomos nga të gjithë ata që nuk janë të barabartë me të në dhimbje. Vuajtja e thellë fisnikëron, ndan. 
Një nga format më të stërholluara të maskimit është epikureizmi dhe njëfarë guximi e shijes që shfaqet që nga ai çast, i cili dhimbjen e merr lehtë dhe i kundërvihet çdo përvoje të trishtuar dhe të thelle. Ka “qenie njerëzore të qeta" që përfitojnë nga hareja sepse në sajë të saj keqkuptohen: ato duan të keqkuptohen. Ka "njerëz të shkencave" që përfitojnë nga shkenca sepse u jep një pamje të jashtme të qetë dhe sepse natyra shkencore u lejon të kuptojnë që qenia njerëzore është e përciptë: ata duan të bindin me përfundime të rreme. Ka shpirtra të lirë dhe arrogantë të cilët do të kishin dëshirë të fshihnin dhe të mohonin se janë zemra të thyera, krenare, të pashërueshme (cinizmi i Hamletit, rasti Galiani): dhe herë pas here vetë marrëzia bëhet maskë e një dije të dështuar tepër të sigurt. Nga kjo del se një njerëzim më të stërholluar i ka hije të ketë nderim të thellë “përpara maskës" dhe të mos merret me psikologji dhe të shkaktojë kurreshtje në vendin e gabuar.

Niçe