Sa më shumë një psikolog (një psikolog, njeri që me intuitë i kupton deri diku shpirtrat për shkak të natyrës dhe është i tillë në mënyrë të pashmangshme) u drejtohet rasteve dhe qenieve njerëzore të jashtëzakonshme, aq më shumë rritet rreziku i tij për t'u mbytur nga dhembshuria: ai ka nevojë për rreptësi dhe hare më shumë se të tjerët. Prishja, domethënë rënia e qenieve njerëzore më të larta, e shpirtrave më të panjohura është në të vërtetë rregulli: është e tmerrshme të kesh gjithmonë përpara syve një rregull të këtij lloji. Martiri i shumëtrajtshëm i psikologut që ka zbuluar këtë shkuarje drejt shkatërrimit, që ka zbuluar një herë dikur, dhe pastaj pothuajse gjithmonë përsëri, këtë “pamundësi shpëtimi" të përgjithshme të qenies njerëzore më të lartë, ky “tepër vonë" i përjetshëm në çdo kuptim, përmes të gjitha rasteve të historisë, ndoshta një ditë do të mund të bëhet shkaku i kthimit të tij me hidhërim kundër fatit të vet dhe përpjekjes së tij të vetëshkatërrimit, të "vetëprishjes". Pothuajse tek çdo psikolog do të haset një simpati dhe një kënaqësi zbuluese në lidhje me qenie njerëzore të zakonshme dhe shumë të rregullt: nga kjo del qartë se ai ka gjithmonë nevojë të shërohet, se ka nevojë për një lloj ikjeje dhe harrese, larg nga ajo çfarë i kanë ngulur në vetëdije pikëpamjet e tij dhe shënimet e tij, “mjeshtëria" e tij. Kjo do të jetë për të pikërisht frika nga kujtesa e vet. Përpara gjykimit të të tjerëve ai hesht me lehtësi: ai dëgjon me pamje të patundur se si nderohet, adhurohet, duhet, shpërfytyrohet ajo që ai ka parë, ose fsheh deri edhe memecërinë e tij duke pranuar shprehimisht ndonjë opinion me rëndësi të veçantë. Ndoshta paradoksi i gjendjes së tij shtyhet aq shumë përtej në të tmerrshme sa, pikërisht atje ku ai ka mësuar dhembshurinë e madhe pranë përbuzjes së madhe, shumica, të diturit, ëndërrimtarët nga ana e tyre mësojnë nderimin e madh: nderimin për “njerëzit e mëdhenj" dhe kafshët që të lënë pa mend, për dashurinë e të cilëve bekohet dhe nderohet atdheu, toka, dinjiteti i njerëzimit, vetvetja, të cilëve u largohet rinia për ta edukuar... Dhe kushedi nëse në të gjitha rastet e rëndësishme, deri më sot, nuk është vërtetuar pikërisht e njëjta gjë: që shumica të adhuronte një Zot, dhe që “Zoti" të ishte vetëm një kafshë e shkretë flijuese! Suksesi ka qenë gjithmonë gënjeshtari më i madh, ndërsa vetë “vepra" është një sukses; shtetari i madh, pushtuesi, zbuluesi maskohen me krijimet e tyre derisa bëhen të panjohshëm; "vepra", ajo e artistit, e filozofit, zbulon si gjë të parë atë që e ka krijuar, atë që duhet ta ketë krijuar; "njerëzit e mëdhenj", të cilët nderohen, janë poezi të vogla të shëmtuara në fund; në botën e vlerave historike mbretëron prerja e monedhave false. Për shembull, poetët e mëdhenj, Bajroni, Alfred de Muse, Poe, Leopardi, Kleisti, Gogoli (nuk guxoj të përmend emra më të mëdhenj, por dua të them ata), ashtu siç janë, ndoshta siç duhet të jenë, qenie njerëzore të çastit, entuziastë, sensualë, fèmijërorë, të lehtë dhe të paparashikueshëm ndaj mosbesimit dhe ndaj besimit, me shpirtra në të cilat zakonisht duhet të fshihet ndonjë thyerje: shpesh, me veprën e tyre, hakmarrës të një fëlliqjeje të brendshme, shpesh, me fluturimet e tyre, në kërkim të harresës së një kujtese deri tepër besnike, shpesh të harruar në baltë dhe gati të dashuruar me të, derisa bëhen të ngjashëm me flakët e varrit që shkëlqejnë nëpër këneta dhe paraqiten si yje (atëherë populli i quan idealistë), shpesh në luftë me një neveri të zgjatur, me një fantazmë mungese besimi që përsëritet e cila i bën të ftohtë dhe i detyron të dridhen për lavdinë dhe te gllabërojnë “besimin në vetvete" nga duart e lakatarëve të dehur: çfarë martirësh janë këta artistë të mëdhenj dhe në përgjithësi njerëzit me të lartë për atë që dikur i ka kuptuar me intuitë! Kjo është kaq e kuptueshme sa ata nga gruaja, e cila është më parashikuese në botën vuajtjes dhe për më tepër më e dëshiruar për të ndihmuar dhe për ta shpëtuar shumë më larg fuqive të veta, provojnë me shumë lehtësi ato shpërthime dhembshurie të pakufizuar, shumë vetëmohuese, të cilat shumica, sidomos shumica që nderon, nuk i kupton dhe i mbulon me interpretime kureshtare dhe vetëkënaqëse. Kjo dhembshuri gënjehet rregullisht në lidhje me forcat e veta: gruaja do të kishte dëshirë të besonte që dashuria bën te mundur gjithçka, kjo është besëtytnia e saj e vërtetë. Ah, ai që i njeh zemrat e ndien se sa e mjerë, e pafuqishme, me pretendime, mashtruese, fare lehtë më shumë shkatërruese se shpëtimtare është edhe dashuria më e thellël Ka mundësi që prapa përrallës së shenjtë dhe maskimit të jetës së Jezusit dergjet i fshehur një nga rastet më të dhimbshëm të martirizimit të diturisë përreth dashursë: martirizimi i zemrës më të pafaj dhe më të dëshiruar, të cilën asnjë dashuri njerëzore nuk mund ta ngopte, që kërkonte të dashuronte, të dashurohej dhe asgjë tjetër, me këmbëngulje, çmenduri, me shfrime të tmerrshme kundër atyre që ia hidhnin poshtë dashurinë; historia e një të pangopuri të shkretë dhe të pangopshmi me dashuri, të cilit iu desh të shpikte tmerrin për të dërguar atje ata që nuk donin të dashuronin, dhe që më në fund, pasi u bë i zoti në lidhje me dashurinë njerëzore, ai u largua nga pabesia e shokut. Më vonë, pas disa shekujsh, doli dikush që e trajtoi atë si një Zot i cili është gjithë dashuri, gjithë aftësi për të dashuruar, që ka mëshirë për dashurinë njerëzore sepse është kaq e mjerë, kaq këmbëngulëse! Ai që ndien në këtë mënyrë, ai që i di këto gjëra për dashurinë, kërkon vdekjen. Po përse shkohet prapa këtyre gjërave të dhimbshme? Meqenëse të mos i detyrohet.
NIÇE