Thursday, April 16, 2020

Niçe 125

Ah, çfarë jeni ju, mendimet e mia të shkruara dhe të shprehura!
Nuk ka kaluar shunë kohë kur ishit ende aq të larmishëm, të rinj dhe të këqij, të mbushur plot me thumba dhe gjëra të fshehta sa të më bënit të tështija dhe të qeshja; po tani? 
Tani jeni zhveshur nga risia juaj dhe kam frikë se disa nga ju janë të gatshëm për t'u bërë e vërteta: aq shumë të pavdekshëm duken tashmë, aq shumë të ndershëm sa të këpusin shpirtin, aq shumë të mërzitshëm! 
Por a ka qenë vallë ndryshe ndonjëherë? 
Çfarë shkruajmë dhe pikturojmë ne me penel kinez, ne të "përjetshmit" e gjërave që lihen të shkruara, çfarë jemi të zotë ne të pikturojmë vetë? 
Ah, gjithmonë vetëm atë që dëshiron të fishket dhe që fillon të humbasë erën! 
Ah, gjithmonë vetëm stuhi që davariten, ndjenja të vonuara të mbaruara dhe të zverdhura! 
Ah, gjithmonë vetëm zogj që kanë fluturuar dhe fluturuar deri sa janë lodhur dhe që tani e lënë veten të kapen edhe me dorë, me dorën tonë! Ne pavdekësojmë atë që nuk mund të jetojë dhe të fluturojë për një kohë të gjatë: vetëm gjërat e lodhura dhe të fishkura! 
Dhe është vetëm mesdita juaj, mendimet e mia të shkruara dhe të pikturuara, për të cilat vetëm kam ngjyra, ndoshta shumë ngjyra, shumë delikatesa të larmishme dhe pesëdhjetë ngjyra të verdha, kafe, jeshile dhe të kuqe: por askush nga ata nuk e merr me mend se ç'pamje kishit ju në mëngjesin tuaj, ju shkëndija të papritura dhe mrekulli të vetmisë sime, ju mendimet e mia të lashta, të dashura... të këqia!