Thursday, April 2, 2020

Niçe 83

Është e nevojshme të pranohet që mbi shpirtin e një populli qe vuan nga ethja e fuqishme kombëtare dhe nga ambicia politike, dhe qe dëshiron të vuajë nga to, kalojnë re dhe trazira të llojeve të ndryshme, me një fjalë, sulme të vogla budallallosjeje: për shembull, tek gjermanët e sotëm, herë marrëzia antifranceze, herë ajo antisemite, here ajo antipolake dhe herë ajo romantike e krishterë, herë vagnerizmi, herë marrëzia teutonike dhe herë marrëzia prusiane (të vërehen ata historianë të mjerë si Sybel dhe Treitschke dhe kokat e tyre të mbështjella mjaft trashë), dhe si quhen të gjitha këto turbullime të vogla të shpirtit dhe të vetëdijes gjermane. Më falni që nuk ngela krejtësisht i padëmtuar nga e keqja gjatë një qëndrimi të shkurtër të rrezikshëm në zona shumë të infektuara dhe të kem filluar, si të gjithë, të shqetësohem tani për gjëra që nuk më përkasin fare: shenja e parë e infektimit politik.për shembull, dëgjoni në lidhje me hebrenjtë. Unë nuk kam takuar ende ndonjë gjerman që të jetë i prirur për mirë ndaj hebrenjve; dhe sado që mund të jetë i plotë mospranimi i antisemitizmit të vërtetë nga ana e gjithë të kujdesshmëve dhe politikanëve, në të njëjtën mënyrë ky kujdes dhe kjo politikë drejtohen jo kundër llojit të vetë ndjenjës, por vetëm kundër teprisë së saj të rrezikshme, sidomos kundër shprehjes së pashije dhe të turpshme të kësaj ndjenje të pamasë: lidhur me këtë nuk mund të mashtrohet. Që Gjermania ka me të vërtetë mjaft hebrenjë, që stomaku gjerman dhe gjaku gjerman e kanë të vështirë (dhe do të vazhdojnë ta kenë të vështitrë për një kohë të gjatë) ta honepsin edhe vetëm këtë 'quantum' “ hebreje" (ashtu si italianët, francezët dhe anglezët i kanë pranuar në sajë të një “përtypjeje" më të fuqishme), ky është pohimi i qartë dhe gjuha e një instinkti kolektiv të cilit i duhet dhënë të drejtë dhe në bazë të të cilit është e nevojshme të veprohet. “Mos lini
të hyjnë më hebrenjë të tjerë! Dhe mbyllni sidomos portat e lindjes (edhe nga Austria)!" kështu urdhëron instinkti i një populli lloji i të cilit është ende i dobët dhe i papërcaktuar sa të mundë të fshihet me lehtësi, të zhduket me lehtësi nga një racë më e fortë. Por, pa asnjë dyshim, hebrenjtë janë raca më e fortë, mê këmbëngulëse dhe më e pastra që jeton tani
në Evropë: ajo është e zonja të dalë fitimtare deri edhe në kushtet më të këqia (madje më mirë se në kushtet e përshtatshme), në sajë të disa virtyteve që sot do të duhej të tregoheshin me gisht si vese, sidomos në sajë të një besimi të palëkundur që nuk ka nevojë të turpërohet
përpara "ideve të kohës": ata ndryshojnë, kur ndryshojnë, vetëm në po atë mënyrë në të cilën bën pushtimet e saj perandoria ruse: si një perandori që është e vjetër dhe nuk ka lindur dje, pra në bazë të parimit "sa më ngadalë të jetë e mundur"! Një mendimtar që në ndërgjegjen e tij i rëndon e ardhmja e Evropës, në të gjitha projektet që do të bëjë për një të ardhme të tillë, do t'i duhet t'i bëjë llogaritë si me hebrenjtë ashtu edhe me rusët, si faktorët më të sigurt dhe më të mundshëm në lojën e madhe dhe në luftën e madhe të forcave. Ajo që sot në Evropë quhet "komb" është në të vërtetë më shumë një 'res facta' (gjë e bërë) se sa një gjë e lindur (dhe herë pas here ngjan me një res 'ficta et picta' ( gjë e bërë dhe e zbukuruar), aq sa mund të ngatërrohet me atë), në çdo rast është diçka duke u bërë, e re, që me
lehtësi mund të shtyhet për më vonë, ende jo një racë, dhe me siguri jo diçka 'aere perenius'(pamje e përhershme), siç është raca hebreje; këto "kombe"do të duhej të ruheshin me kujdes nga çfarëdo konkurrence e zjarrte dhe armiqësi!
Që hebrenjtë, me dashje apo të detyruar, do të kishin mundur të kishin deri tani epërsinë, madje në kuptimin e vërtetë të fjalës sundimin e evropës, kjo është vërtetuar; gjithashtu është vërtetuar se ata nuk punojnë dhe nuk bëjnë plane në këtë drejtim. Tani për tani ata duan dhe dëshirojnë shumë më tepër, madje me njëfarë këmbënguljeje, që të thithen dhe përpihen në Evropë dhe nga Evropa: ata kanë etje për t'u ngulitur më në fund në ndonjë vend, të lejuar që të qëndrojnë, të respektuar, dhe për t'i dhënë fund jetës së tyre endacake, për t'i gjetur një vendmbrritje "hebreut endacak"; dhe do të duhej të respektohej mirë ky tension dhe ky vrull (që ndoshta në vetvete është shprehje e një zbehjeje të instinktit hebre) dhe ti përmbushej. Për këtë qëllim ndoshta do të ishte
e dobishme dhe e natyrshme të dëboheshin nga vendi poterexhinjtë antisemitë. Të ndihmohen ata me të gjitha përkujdesjet, duke bërë disa zgjedhje: afërsisht siç bën fisnikëria angleze. Është e qartë se ata që do të mund të viheshin në lidhje me ata me vështirësi më të vogël janë tipat më të fortë dhe sa më shumë të farkëtuar me kombësinë e re gjermane, për shembull nëpunësi fisnik i zonës kufitare: do te
ishte me interes të madh të shihej në qoftë se nuk është e mundur te arrihej të shkrihej dhe të përmblidhej arti i trashëguar i urdhërimit dhe i bindjes, vendi i sipërpërmendur është sot specialist në të dyja, me dhuntinë e parasë dhe të durimit (dhe mbi të gjitha ndonjë element i karakterit shpirtëror që mungon me shumicë në atë vend). Por këtu është me vend të ndërpritet teutomania ime e gëzueshme dhe biseda ime madhështore; tashmë në të vërtetë unë prek elementin serioz të "problemit evropian", ashtu si e kuptoj unë: çështjen e edukimit të një kaste të re që të qeverisë Evropën.

Niçe