Wednesday, April 1, 2020

Niçe 80

Se sa pak ka të bëjë stili gjerman me tingujt dhe me veshët e tregon fakti që janë pikërisht muzikantët tanë të mirë që shkruajnë keq.
Gjermani nuk lexon me zë të lartë, nuk lexon për veshët, por vetëm me sy: duke vepruar në këtë mënyrë ai i ka futur veshët në dollap. Qenia njerëzore e dikurshme, kur lexonte, dhe kjo ndodhte mjaft rrallë, i lexonte vetvetes dhe me zë të lartë; në qoftë se dikush lexonte me
zë të ulët habitej me vetveten dhe fshehurazi kërkonte arsyen. Me zë të lartë do të thotë me të gjitha modulimet, ndryshimet, përkuljet e tonit dhe ndryshimet e kohës nga të cilat bota e vjetër (Azia, Afrika, Evropa) ndiente kënaqësi. Në atë kohë rregullat e stilit letrar ishin të njëjta me stilin oratorik; ndërsa rregullat e këtij të fundit vareshin pjesërisht nga edukimi i mrekullueshëm, nga kërkesat e stërholla të
veshit dhe të laringut dhe, pjesërisht, nga forca, kohëzgjatja dhe fuqia e mushkërive të njerëzve të lashtësisë. Një fjali e përbërë, në kuptimin që i vishnin njerëzit e lashtësisë, ishte patjetër e njëjta gjë fiziologjike në masën në të cilën përfshihej një frymëmarrje e vetme. Fjalitë e përbëra si ato të Demostenit dhe të Ciceronit, dy herë ngjitëse dhe dy herë zbritëse dhe gjithçka brenda harkut të një frymëmarrjeje të
vetme, ishin një kënaqësi e rrallë për qenien njerëzore të lashtësisë e cila, për shkak të përgatitjes së saj të njëjtë shkollore, ishte në gjendje të çmonte virtuozitetin, rrallësinë dhe vështirësinë e paraqitjes sẽ një fjalie të tillë të përbërë. Ne në të vërtetë nuk kemi asnjë të drejtë ndaj fjalisë së madhe, ne të kohës së sotme, ne me frymëmarrje të shkurtër në çdo kuptim! Ata njerëz të lashtësisë në të vërtetë ishin disa diletantë të oratorisë, dhe për pasojë njëfarësoj njohësish dhe njëfarësoj kritikësh, me të cilën kërkonin maksimumin nga oratorët e tyre; kjo në të njëjtën mënyrë si në shekullin e kaluar, kur të gjithë italianët, burra dhe gra, merrnin vesh nga kënga dhe virtuoziteti i këngës (për pasojë edhe arti i veglave muzikore) arriti pranë tyre majën më të lartë. Në Gjermani, përkundrazi (deri në kohët më të fundit kur tund krahët e saj të rinj një loj gojëtarie shoqërore, e druajtur dhe mjaft e ngathët), ka ekzistuar pikërisht vetëm një lloj gojëtarie shoqërore dhe përafërsisht artistike: ajo e amvonës. Në Gjermani, vetëm predikuesi e njihte peshën e fjalës, të rrokjes, në çfarë mase godit një fjali, kërcen, bie, vrapon, qëndron, vetëm ai e kishte vetëdijen për të dëgjuar, mjaft shpesh një vetëdije të papastër: në të vërtetë nuk mungojnë arsyet për faktin që rrallëherë, pothuajse gjithmonë tepër vonë, është arritur nga një gjerman aftësia oratorike, kryevepra e prozës gjermane prandaj është pa dyshim kryevepra e predikuesve të saj të mëdhenj: deri më sot libri më i mirë gjermanisht ka qenë Bibla. Përballë Biblës së Luterit pothuajse gjithçka tjetër është "letërsi": gjë që nuk është rritur në Gjermani, kështu që nuk është rritur dhe nuk rritet në zemrat e gjermanëve siç ka bërë në të vërtetë Bibla.

Niçe