Friday, April 3, 2020

Niçe 86

Franca është sot e kësaj dite qendra e kulturës evropiane më intelektuale dhe më të hollë, dhe shkolla e lartë e shijes: por duher të jemi të zotë për ta gjetur këtë “Francë të shijes". Ai që bën pjesë në të qëndron i fshehur mirë dhe mund të jetë një numër i vogël ai në të cilin mishërohet dhe jeton: midis tyre ndoshta qenie njerëzore që nuk mbahen mbi këmbë shumë të fuqishme, pjesërisht fatalistë; të terratisur, të sëmurë, pjesërisht të dobët dhe të stërholluar, njerëz që kanë ambicien për t'u fshehur. Të gjithë kanë diçka të përbashkët: ata i mbyllin veshët përpara marrëzisë së shfrenuar dhe gumëzhimës së zhurmshme të borgjezit demokratik. Në të vërtetë sot në radhë të parë rrokulliset një Francë e budallallepsur dhe e trashallepsur: kohët e fundit, në rastin e varrimit të Viktor Hygoit, u organizua një orgji e vërtetë me shije të keqe dhe në të njëjtën kohë me vetadhurim. Ata kanë edhe diçka tjetër të përbashkët, domethënë dëshirën e mirë për t'u mbrojtur nga gjermanizimi intelektual dhe nga një paaftësi edhe më e mirë për ta bërë! Ndoshta, në këtë Francë të shpirtit, që është edhe një Francë e pesimizmit, Shopenhauri është sot akoma më shumë njeri i shtëpisë dhe më vendas sa nuk qe kurrë në Gjermani; për të mos folur për Hajnrih Hajnen, i cili prej kohësh
ka hyrë në mishin dhe në gjakun e lirikëve më ndjenjëhollë dhe më kërkues parizianë, ose për Hegelin i cili sot po të nisëmi nga Taine, që është dhe historiani i parë i gjallë, ushtron një ndikim pothuajse tiranik. Ndërsa përsa i takon Rikard Vagnerit, sa më shumë muzikë franceze mëson të strukturohet sipas kërkesave të 'âme moderne', aq më shumë “vagnerizohet": kjo mund të thuhet qysh herët, këtë gjë tani e bën shumë! Megjithatë janë tri gjëra që francezët edhe sot mund të mburren me krenari, si karakteristikë dhe trashëgimi e tyre dhe jo si dëshmi e harruar e një epërsie të lashtë kulturore mbi Evropën, pa marrë parasysh gjithë gjermanizimin dhe plebeizimin vullnetshëm dhe të pavullnetshëm të shijes: në radhë të parë është aftësia për pasione artistike, për devotshmëri ndaj "formës" per cilën, së bashku me mijëra të tjera, është sajuar shprehja "T'art pour L'art": prej tre shekujsh në Francë nuk mungojnë gjëra të tilla dhe gjithmonë, në sajë të nderimit të “numrit të vogël", bën të mundur përsëri një lloj muzikë dhome letrare, e cila do të kërkohej më kot në pjesën tjetër të Evropës. Gjëja e dytë me të cilën francezët mund të ngrejnë themelet për një epërsi mbi Evropën është kultura e tyre e vjetër, e larmishme dhe moralistike që bën që, mesatarisht, edhe në
romancierët e vegjël të gazetave të përditshme dhe në boulevardiers de Paris e rastësishëm të gjenden një ngacmueshmëri dhe një kureshtje
psikologjike për të cilat, për shembull, në Gjermani nuk kanë as idenënmë të vogël (as edhe që flitet fare për to!). Gjermanëve për këtë qëllim u mungojnë afërsisht dy shekuj punë morale që, siç kemi thënë, Franca, përkundrazi, as që i është kursyer kësaj pune: ai që për këtë
gjë i quan “naivë" gjermanët, e shndërron në mburrje një të metën e tyre. (Në krahasim me mungesën e përvojës dhe pafajësinë gjermane
in voluptate psychologica“, e cila nuk është pra tepër larg nga mërzia e marrëdhënieve me gjermanët, dhe si shprehje më e gjetur e një
kureshtjeje dhe e një fantazie vërtetësisht franceze, për këtë mbretëri emocionesh të forta, mund të jetë i vlefshëm Henri Beils, ajo qenie e veçantë; pararendës dhe flamurtar, i cili e ka kaluar Evropën e tij me një ritëm napolonian, duke i përshkuar shumë shekuj të shpirtit evropian, si një kërkues gjurmësh dhe një zbulues i një shpirti të tillë: na u deshën dy breza që në njëfarë mënyre të mund të arrihej, për të zgjidhur disa prej enigmave që mundonin dhe bënin për vete atë epikurean të jashtëzakonshëm dhe njeri enigmatik i cili qe psikologu i fundit i madh francez). Ka një kërkesë të tretë të epërsisë: në natyrën e francezëve ka një përmbledhje të gjetur të barabartë midis veriut dhe jugut që i bën të kuptueshme shumë gjëra dhe që i ndihmon të
bējnë edhe të tjera, të cilat anglezët nuk do t'i kuptojnë; temperamenti i tyre që herë pas here ngre krye drejt dhe kundër jugut, në të cilin kohë pas kohe vërshon duke shkumëzuar gjakun proversal dhe ligur i mbron nga monotonia e tmerrshme nordike, nga hijet konceptuale dhe nga anemia pa diell, nga sëmundja jonë e shijes gjermane, kundër teprisë të së cilës janë urdhëruar, në ditët tona me vendosmëri të madhe, gjak dhe hekur, e kam fjalën këtu për “politikën e madhe" (sipas një shkence të rrezikshme mjekuese e cila më ka mësuar të pres dhe vazhdimisht të pres, por që deri më sot nuk më ka mësuar ende të shpresoj). Në Francë vazhdon të gjesh edhe sot një mirëkuptim të hershëm dhe një pranim për ato qenie njerëzore mjaft të rralla dhe shumë të vështira për t'u kënaqur dhe që kanë një përfytyrim tepër të gjerë për të gjetur kënaqësinë e tyre në çfarëdo atdheu dhe që dinë të duan tek veriu jugun dhe tek jugu verin: për mesdhetarët e lindur, "evropianët e mirë". Pikërisht për ata e ka shkruar muzikën Bize, ky gjeni i fundit i cili pa një bukuri dhe magji të re, që zbuloi një pjesë nga jugu i muzikës.

Niçe