Deri më sot çdo lartësim i llojit “qenie njerëzore" ka qenë vepër e një shoqërie aristokratike, dhe kështu do të jetë gjithmonë: kjo si shoqëri që beson në një shkallë të gjatë hierarkike dhe në një dallim të vlerave nga një qenie njerëzore tek tjetra dhe që në njëfarë kuptimi ka nevojë për skllavërinë.
Pa patosin e largësisë, ashtu siç del nga ndryshimi i bashkëlindur i klasave, nga gjerësia e përhershme e pamjeve nga lart e klasës sunduese mbi të nënshtruar dhe mjete, dhe nga ushtrimi i saj po aq i përhershëm në bindje dhe në urdhërim, në mbajtjen të nënshtruar dhe larg, nuk do të ishte aspak e mundur të zinte fill as ai patosi tjetër i fshehtë, ajo nevojë për një shtim gjithmonë të ri të largësisë në brendësi të vetë shpirtit, as formimi i kushteve gjithnjë e
më fisnike, më të rralla, më të largëta, më të ndera dhe më të gjera: me një fjalë, pikërisht lartësimi i llojit "qenie njerëzore", "vetëkapërcimi i përhershëm i qenies njerëzore", për të përdorur një formulë morale në një kuptim mbimoral. Natyrisht, në lidhje me historinë e lindjes së një shoqërie aristokratike (dhe pastaj me parakushtin e atij lartësimi të llojit "qenie njerëzore") nuk duhet ta lëmë veten të jepemi pas iluzioneve humanitare: e vërteta është e ashpër. Le ta themi pa u druajtur se si
ka filluar deri më sot mbi tokë çdo kulturë e lartë! Qenie njerëzore me karakter akoma të natyrshëm, mizorë në të gjithë kuptimin e tmerrshëm te fjalës, njerëz grabitqarë, ende me një forcë vullneti dhe me një dëshirë pushteti të paprekshëm, u vërsulën mbi raca më të dobta, më të qytetëruara, më paqësore, ndoshta të dhëna pas tregtisë ose pas rritjes së kafshëve, ose mbi kultura të zbehta në të cilat flakëronte, me zjarre te mrekullueshme artificiale të shpirtit dhe të zvetënimit, pikërisht forca e fundit jetësore. Në fillim, kasta aristokratike qe gjithmonë kasta e mizorëve; epërsia e saj nuk qëndronte në forcën fizike, por në atë psikologjike: ishin qeniet njerëzore më të plota (gjë që në çdo nivel do të thotë gjithashtu "kafshët më të plota").