Ka të vërteta që pranohen më mirë nga koka të rëndomta sepse janë për to më të afërta, ka të vërteta që kanë magjinë dhe fuqinë joshëse vetëm për shpirtra të rëndomtë; kundër kësaj fjalie ndoshta të pakëndshme po përballemi pikërisht tani që kur shpirti i anglezëve të denjë për t'u kushtuar vëmendje, por të rëndomtë (e kam fjalën për Darvinin, për John Stuart Mill dhe për Herbert Spenser), është duke fituar epërsi në zonën qendrore të shijes evropiane. Në të vërtete kush do të kishte dëshirë të vinte në dyshim dobinë e faktit që here pas here mbizotërojnë shpirtra të përgjithshëm? Do të ishte gabim ti ndaloje shpirtrat më të lartë, që fluturojnë në një anë, veçanërisht të aftë për të vërejtur shumë fakte të vogla të zakonshme, për ti pranuar dhe për t'i detyruar të arrijnë në përfundime: si përjashtime nga fillimi ato ndodhen në pozicione shumë të papërshtatshëm në krahasim me “rregullat". Së fundi kanë shumë më tepër për të bërë se sa të kufizohen për të njohur: duhet të jenë diçka përsëri, duhet të nënkuptojnë diçka përsëri; të përfaqësojnë diçka përsëri! Çarja midis dijes dhe mundësisë ndoshta është më e madhe, por edhe më shqetësuese, se sa ajo që mendohet: ai që mundet në stil të gjerë, ai që krijon, ka të ngjarë që duhet të jetë një që nuk di; ndërsa nga ana tjetër njëfarë ngushtësie, shterpësie dhe gatishmërie për punë, me një fjalë diçka angleze, mund të krijojë kushte të mira paraprake për zbulime shkencore të llojit si ato të Darvinit. Më në fund, të mos harrohet që anglezët, me mediokritetin e tyre të thellë, kanë shkaktuar dikur një depresion kolektiv të shpirtit evropian: ato që quhen "idetë e kohës" ose "idetë e shekullit XVIII" ose edhe “idetë franceze" (pra ajo kundër së cilës shpirti gjerman ka ngritur krye me neveri të thellë), ishin me prejardhje angleze, nuk ka dyshim. Francezët kanë qenë vetëm majmunët dhe aktorët e atyre ideve, edhe ushtarët e tyre më të
mirë dhe për fat të keq gjithashtu dhe viktimat e tyre të para dhe më kryesore: meqenëse për shkak të anglomanisë së mallkuar të "ideve të kohës", âme française' është bërë aq e hollë dhe e dobësuar sa që sot kujtohen pothuajse me mosbesim shekulli i saj XVI dhe XVII, fuqia e saj e thellë plot pasion, fisnikëria e saj krijuese. Por ky parim i drejtësisë historike mbahet shtrënguar me dhëmbë dhe mbrohet
nga çastet dhe nga dukja e jashtme: noblesse evropiane (e ndjenjës, e shijes, e zakoneve, me një fjalë, duke e marrë fjalën në çdo kuptim të
saj të lartë) është vepër dhe gjetje e Francës; vulgariteti evropian është plebeizmi i ideve të kohës të Anglisë.
Niçe