Tuesday, August 30, 2016

FIKSIMI

FIKSIMI

Një vajzë që e njoh prej shumë vitesh, është pre e kësaj forme të depresionit nervor. Ajo është e bindur se bota është një vend i egër dhe i pamëshirshëm, se fati i keq e ndjek nga pas dhe diçka e llahtarshme mund t'i ndodhë në çdo çast, porsa ajo i lejon vetes të kapërthehet nga gjendja e alarmit. Ka krijuar në vetvete një bindje të tillë, se kur organizon një piknik, do të bjerë shi, se kur bie telefoni, do të marrë një lajm ogurzi, se kur vjen një telegram lajmëron vdekjen e dikujt. Njerëzit, përfundon ajo e bindur, janë injorantë, hipokritë, të pabesë ose të tria këto gjëra së bashku•.Është e kotë të shtoj, se tek unë sheh optimistin e përjetshëm, burrin më bosh, më të padjallëzuarin dhe më të pameritueshmin për t'u besuar. Vizioni i saj i kobshëm për jetën, mendimi i saj i keq për njerëzit, qëndrimi në vazhdimësi, në pritje të fatkeqësive, shpesh gjejnë mbështetje në realitet. Nuk e kuptoj se si mund të mbijetosh në këtë mënyrë. Dashuria nuk është e verbër. Ajo e njeh anën e zezë të jetës. Por, për të mbijetuar, dashuria nuk duhet të përqafojë të keqen e ta bëjë atë moto të jetës.