Sa herë qëllon që të themi të njëjtat gjëra mbi njeriun që duam, jemi të prirur të besojmë se, po të mos kishte atë, apo të kishte më shumë këtë, ose po të ishte me shumë si ai, apo më pak se ai tjetri, dashuria jonë do të qe e përsosur. Kjo gjë shfaqet edhe kur problemi që ndodh shpërthen pjesërisht nga kapriçiot tona, nga kërcënimet tona të zhurmshme ose edhe, që ta themi troç, nga budallallëku ynë. Një nga letrat më të mira më është dërguar nga një grua, që kishte vendosur të ndryshonte burrin e saj (ende përpara se të martohej, kishte modelin se si duhej të bëhej). Pas disa vite kërcënimesh, fyerjesh dhe përpjekjesh për ta brumosur dhe modeluar sipas dëshirës së saj, më në fund ia kishte arritur qëllimit. Nga forca e këmbënguljes kishte arritur pikërisht rezultatin që ajo donte. Por ja që tani asaj i duhej të përballej me një prob-lem të papritur: ankohej se ai nuk ishte më burri me të cilin ishte martuar.