Megjithëse secili nga ne nuk është gjë tjetër veçse një individ i veçantë ndërmjet milionave, të gjithë kemi dhuntinë e një fuqie individuale, të cilën e shprehim në të mirë dhe në të keqe. Çdo gjë ka një funksion mbi tokë. Çdo gjë ka efektin dhe motivimin e vet. Ashtu si një gur i hedhur në ujë krijon valë rrethore që varen nga masa e gurit, kështu dhe çdo veprim i kryer nga ne zgjerohet në rrathë me shtrirje më të madhe, duke përfshirë hap pas hapi çdo gjë me të cilën ndeshet. Mund të duket e lehtë të kuptohet koncepti, në bazë të të cilit të gjitha ngjarjet kanë lidhje midis tyre dhe prandaj, çfarëdo që të ndodhë, ne jemi në njëfarë mënyre pjesëmarrës. Për rrjedhojë, çfarëdo që të na ndodhë, e mirë apo e keqe, nuk është një çështje private. Kjo është e rëndësishme dhe është motivim për të gjithë ne.