Saturday, August 27, 2016

Ne ndryshojmë. Sendet jo.

Ne ndryshojmë. Sendet jo.

Gjithmonë dëgjojmë të flitet për dashurinë pa kushte. Tashmë është bërë prirje e përgjithshme që dashnorët të krijojnë sigurinë midis tyre se dashurohen "pa kushte". E, megjithatë, shumë shpejt zbulojmë se është e vështirë të vendosim rregullat e nevojshme për të dashuruar pa kushte. Në fakt, ekziston një kusht i pamohueshëm për t'ia dalë mbanë të dashurohesh me dikë. Ky kusht është: të vazhdosh të rritesh si një entitet individual dhe i pavarur, i ndarë nga ne. Në qoftë se për një çast na shkon nëpër mend që ta pengojmë të rritet, duhet ta analizojmë dashurinë tonë, me kujdes dhe pa asnjë vonesë e ndikim. Jo vetëm duhet ta respektojmë domosdoshmërinë e rritjes të njeriut që dashurojmë; por duhet dhe ta përkrahim edhe duke rrezikuar ta humbasim. Duket një mospërputhje ironike, por është e vërtetë: vetëm duke vazhduar të rriten veç e veç, individët e veçantë mund të ushqejnë shpresën për t'u rritur edhe së bashku. Eshtë e gabuar të besojmë që dy veta, për të mbajtur gjallë dashurinë e tyre, duhet "të hyjnë në lëkurën" e njëri tjetrit! Çifti që mban ndezur oxhakun e shtëpisë përpiqet të krijojë një qoshe të ngrohtë, deri në ditën kur nuk ka më lëndë djegëse, sepse asnjëri nga të dy partnerët nuk rrezikon të dalë nga shtëpia dhe të bëjë furnizimet. Nëse partnerët do ta bëjnë këtë, edhe zjarri do të kthehet të ngrohë e të shkëlqejë me dritë të gjallë, duke u dhuruar të dyve më shumë ngrohtësi.