Kishte gjithnjë një copë dru në dorë dhe ishte gati ta përdorte për të ndezur një grindje.
Tani së fundi kam marrë letrën e një gruaje, e cila ankohej për vetminë e saj. Thoshte se ishte braktisur nga burri, shkruante se të afërmit e saj rrallëherë shkonin ta vizitonin, dhe në ato pak raste, me njëfarë ngurrimi. Dhe vijonte duke renditur një seri ankesash. Mallkonte me hidhërim moshën e saj të madhe, shëndetin e saj të rënduar, moskokëçarjen e botës, ftohtësinë e miqve që dikur kish patur. Madje, zemërohej dhe me ata që shfaqnin dëshirë për ta ndihmuar. Kur iu përgjigja, duke lënë të nënkuptohet midis rreshtave, se sjellja e saj e papërshtatshme ndikonte në thellimin e problemit të vetmisë (kush do të pranonte të qëndronte pranë atij hidhërimi aq të madh), ajo m'u përgjigj me një letër tjetër, duke më thënë se unë isha njësoj, bile edhe më i keq se të tjerët. Se unë hiqesha sikur isha një ithtar i dashurisë, ndërsa në të vërtetë nuk isha gjë tjetër, veçse një hipokrit. Përvoja na mëson, se jeta na jep shumë më tepër sesa i japim ne asaj. Nëse i tregojmë botës fytyrën e ngrysur, kushdo qoftë motivi, nuk mund të presim që të na japin ndonjë gjë të mirë.Në të kundërt, nëse i përballojmë vështirësitë me humor dhe, kultivojmë te vetja jonë një ndjenjë mirënjohjeje për atë që jeta na jep, është shumë më e mundshme të takohemi me burra e gra, të gatshëm të na shpërblejnë me të njëjtën monedhë.