Buzëqesh
Të qeshurit e matur është terapia më e përshtatshme për sherimin e plagëve të vuajtjeve të vazhdueshme, e cila ruan fuqinë e gëzimit shpirtëror.
Ebu Darda thoshte: ‘Kur qesh, qeshjen ia bëj shërim zemrës. Kjo është e qeshja e të mençurve të përvojshëm, që njohin sëmundjen e shpirtit dhe shërimin e saj. Buzëqeshja është kulmi i rehatisë dhe vula mbaruese e kënaqësisë. Por, kjo është buzëqeshja pa teprim: “Mos qesh se tepërmi, se të qeshurit e tepërt e vdes zemrën” e kjo është e mesmja. “Edhe buzëqeshja drejtuar vëllait apo shokut tënd është bamirësi ”.
Por me kujdes të mos jetë tallje e lojë.
Arabët ishin ata të cilët e lëvdonin buzëqeshjen dhe e konsideronin si shenjë shpirtgjerësie dhe bujarie. Në të vërtetë, morali i mirë urdhëron të mesmen - në besim, në adhurim, në moral, dhe në sjellje. Vrazhdësia e fytyrës dhe rrudhja e saj janë shenjë e një shpirti të ankuar, janë turbullim i ideve të pastërta.
“Të buzëqeshurit në jetën e tyre jo vetëm që kënaqin shpirtin e tyre, por ata gjithashtu janë më të fuqishëm në punë, janë më përgjegjës, më të mirë në përballimin e vështirësive dhe shërimin e tyre, si dhe në kryerjen e veprave të mëdha që sjell dobi për ta dhe gjithë njerëzit. Sikur nga njëra anë të vendosnin pasuri të madhe dhe famë të lartë, e në anën tjetër një shpirt të vetëkënaqur e të buzëqeshur, e të më
pyesnin kë të zgjedh, do ta kisha zgjedhur të dytën!
Ç’vlerë ka pasuria me fytyrë të mrolur?! Ç’të duhet fama kur shpirtin e ke të ngushtë?! S’të bën dobi e tërë dunjaja me gjithë çfarë ka nëse vetë je i shqetësuar e i mërzitur, thua se je kthyer nga përcjellja e kufomës së më të dashurit! Ç’të duhet burri/gruaja i/e bukur, kur zemërohet, vrazhdësohet dhe e kthen shtëpinë në ferr?! Më e dobishme për ty është ajo që s’ka këtë shkallë të bukurisë, por sjelljen e pëlqyeshme, buzëqeshjet e ngrohta dhe që e bën shtëpinë si një prej kopshteve magjike. S’ka vlerë një buzëqeshje që nuk del nga thellësia e njeriut, e pastër dhe e natyrshme. E nëse ai përpiqet t’ju falë vetëm zgërdhimjen e dhëmbëve pa miratim nga shpirti, kjo i mbetet vetëm fytyrës së tij dhe nuk depërton tek të tjerët, sepse ai kërkon ta falsifikojë natyrën e tij të pastër e të vërtetë.
Shiko rreth teje me kujdes: lulet buzëqeshin, pyjet e dendura luhaten të qeshura, detërat, lumenjtë, qielli, yjet, shpezët, të gjithë të buzëqeshur, pra edhe njeriu në esencën e tij rri i buzëqeshur. Sikur të mos e prekte xhelozia, sherri, naiviteti dhe shkaqet e tjera që ia humbin dritën e fytyrës dhe e bëjnë të mrolur! Ai nuk e sheh këtë bukuri që qëndron ditë e natë para syve të tij, se në shpirt është i dobët e shkatërruar; secili prej nesh e sheh dynjanë përmes veprave, mendimeve dhe shpirtit të vet.
Kur vepra që bëra të jetë e mirë, mendimet që më shpojnë kafkën të dlira, e shpirti i pastër nga mllefet, atëherë shqisa e të pamurit do shohë pastërti; gjithçka që më rrethon në këtë hapësirë e shoh të bukur, shoh realitetin. Por të pamurit kur të më bëhet i paqartë, të më nxihet qelqi i syzeve, çdo gjë rreth meje e shoh të zezë e të errët, atëherë duhet të kontrolloj trurin, veprat,mendimet, shpirtin, e t’i kthej në çiltërsitë parësore që ta shoh të vërtetën e bukur, ashtu siç është e paprishur.
Kemi shpirtëra që mund të bëjnë prej çdo gjëje dhimbje e vuajtje, dhe shpirtëra që mund të bëjnë prej çdo gjëje lumturi.
Gruaja së cilës në shtëpi s’i sheh syri përveç gabimeve, tërë ditën e bën të zezë, për shkak se pjata i është thyer, se gjella iu bë e kripshme, se gjeti letrat copë-copë të hedhura nëpër dhomë...,bërtet dhe fyen, sharja përfshin të gjithë që janë në shtëpi dhe pas pak ndizet zjarri.
Gjithashtu, ka burra që turbullohen me veten dhe me ata që u gjenden përreth për shkak të një fjale apo komentimit të keq të saj, ose prej një pune të pavlefshme që u ngjau apo e bënë, ose për shkak të humbjes tregtare, një fitimi që prisnin të arrinin por nuk iu realizua, e për shumë gjëra tjera, që s’kanë vlerë. Pra, bota
në sytë e tyre është e zezë, pastaj edhe atyre që janë pranë ua nxijnë. Këta njerëz kanë fuqi ta zmadhojnë të keqen dhe prej një kokrre bëjnë pirgun, prej bërthamës bëjnë drurin. Ata nuk
mund të bëjnë mirë, ndaj nuk gëzohen kur u vijnë të mirat edhe nëse janë shumë, e as nuk kënaqen me atë që arritën edhe nëse është e madhe.
Jeta është art, e arti është shkencë që studiohet. Për njeriun është më mirë të mbjellë trëndafila, jasminë, e dashuri në jetën e tij, se
sa të lodhet në grumbullimin e të hollave dhe fryerjen e xhepave.
Ç’vlerë ka jeta, kur gjithë mundin ia drejton mbledhjes se pasurisë, e s’bën asnjë përpjekje në lartësimin e bukurisë, mëshirës dhe dashurisë në të?! Shumica e njerëzve s’i çelin sytë për bukuritë dhe gjërat interesante në jetë, por për ar dhe argjendë.
Kalojnë rreth kopshteve plot trëndafila të bukur dhe ujit të vrullshëm, e shpenzëve këndues, por as që u hyn në mend t’i shikojnë ato, në mend kanë arin që doli e arin që hyri. Ishte ari mjet për jetë të lumtur, e rrotulluan gjendjen dhe shitën jetën e lumtur për hir të arit, i larguan sytë nga shikimet e bukura dhe i përshtatën të mos shikojnë përveç arit.
Nëse e ke humbur shpresën, s’mund ta gjesh buzëqeshjen, e nëse e dëshiron buzëqeshjen, luftoje atë që ta humbi shpresen.
Shansi të ofrohet ty dhe të gjithëve,ngadhënjimi ështe i hapur,dera e tij është për ty dhe për të tjerët. Mësoje veten të jesh i hapur dhe shpresëdhënës për vete dhe të tjerët.