Wednesday, December 25, 2019

Fotografitë

Kur marrim një qëndrim para aparatit fotografik, kur pozojmë për të dalë sa më bukur e sa më ndryshe nga çfarë jemi realisht,çfarë do të thotë kjo pozë!?

Na thotë dikush : "buzëqesh pak, qëndro më mirë, qëndro ashtu e jo kështu, rregullohu pak aty, shko aty në atë vend se del më bukur,me këto rroba nuk del mirë,me këto del më bukur.

Na shkon në mendje të pozojmë me dikë që na pëlqen ose me dikë që është i rëndësishëm për të lënë përshtypje,ose futemi diku në ndonjë lokal apo diku që jemi kalimtarë aty, ose futemi në makinën e dikujt sa për të bërë një foto.

Na shkon në mendje të pozojmë me tavolina plot me shumë llojshmëri ushqimesh, me familjarë të përqafuar për të treguar sikur jemi familje ideale...!

E sapo mbarojmë pozimin,çfarë ndodh më pas ?
Rikthehemi në jetën tonë të përditshme pa u shtirur si në foto;
Ne rikthehemi përsëri siç jemi,aty ku ishim,me qëndrimet e mëparshme, me buzët e varura, me inatet personale që kanë përçarë familjet. 
Rikthehemi në llogaritë e përditshme për çfarë do hamë e pimë duke u frikësuar për papunësinë.
Rikthehemi në jetën tonë me tavolinat bosh,duke u ankuar për bezdisjen e dikujt dhe duke kërkuar me sy dikë tjetër që mungon. 

Pse kaq shumë hipokrizi në një foto !?
A është më e rëndësishme të dukesh apo të jesh ?
A është më e rëndësishme të krijosh një ide tjetër tek dikush thjesht për të marrë një vlerësim apo është jeta jote!?
Cila pjesë e jetës është e vërtetë, ajo që jeton apo ajo që ti shfaq për dikë !?
Pse të na njohin ndryshe nga çfarë jemi? 
A ke frikë nga vetja,nuk të pëlqen jeta jote !?
Mendon se jeta e dikujt është më e mirë se e jotja !? 
Mendon se jeta e dikujt është siç paraqitet nëpër foto !?
Jo!
Iluzioni dhe hipokrizia është kudo,prandaj pasuria më e madhe sot është të jesh vetvetja duke e vlerësuar pa shtirje! 
Ti je shumë i mirë siç je,jo siç duan të tjerët të dukesh !