Merre mjaltin po mos e thyej kosheren
Kush posedon butësinë dhe urtësinë, ngado që të shkelë lëshon bukuri, e kujt i janë hequr këto dy veti kudo që të gjendet rri i vetmuar, nga kryelartësia dhe zemërimi s’i afrohet asnjeri.
Butësia në fjalë e dialog, buzëqeshja e dlirë mbi fytyra, përdorimi i fjalëve të ëmbla e të mira janë si rrobat e bukura me çmime të shtrenjta me të cilat stolisen fatlumët. Kjo, gjithashtu, është një
ndër cilësitë e njeriut të mirë e të urtë, si bleta e cila ushqehet me ushqim të mirë dhe prodhon të mirën, e kur ulet mbi lule nuk e dëmton atë sepse Zoti ia jep butësisë atë që s’ia jep dhunës.
Për shumë njerëz të kaplon malli, e kur ndodh që të presësh njeriun për të cilin të ka djegur malli, nëse ndodhesh në fund të turmës apo grupit dhe të vështirësohet pamja e tij nga numri i madh që presin, ti dhe të tjerët që janë në pozitën tënde duhet të zgjatni qafat e të hapni sytë që të shihni më mirë. Kështu ngjallen zemrat dhe flakërojnë fytyrat në takime. Për ç’arsye e bëtë këtë?! Ngase njerëz të tillë janë të dashur pothuajse për të gjithë,dashurinë e tyre tek të tjerët e mbjell fjala e tyre e ëmbël ndaj çdokujt, marrëdhëniet dhe lidhjet e tyre ndërmjet njerëzve me drejtësi, në takimet dhe largimet e tyre sytë u mbesin me nostalgji. Pastërtia jote shpirtërore i tërheq njerëzit dhe shokët rreth teje si magneti, gjithmonë je i rrethuar me shokë, që mezi presin të jesh në mesin e tyre. Nëse vjen nga larg, lajmërojnë dhe përgëzojnë për ty, e nëse shkon larg tyre gjithmonë pyesin e bëjnë lutje për ty. Me të vërtetë këta fatlumë kanë moralin kushtetutë që titullohet: “të keqen ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt”.
Të lartëpërmendurit e shuajnë zemërimin ndaj të tjerëve përmes emocioneve të tyre të pastra ku me plot ngrohtësi depërton butësia, dhe bëhen falës të sinqertë ndaj atyre që u bëjnë padrejtësi,shumë shpejt i harrojnë të këqijat dhe mbajnë mend të mirat. Nëse mbi ta hidhen fjalë fyese e sharje, apo tallje me personalitetet e tyre,mbyllin veshët e nuk dëgjojnë, e këto thënie humbasin sikur të mos kishin ekzistuar. Të tillët janë në rehati të vërtetë, por edhe njerëzit rreth tyre janë të rehatshëm. Njerëzit gjejnë paqe e siguri te këta.
"I drejtë është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të sigurtë njerëzit e tjerë, dhe i drejtë është ai prej të cilit njerëzit janë të sigurtë në gjaqet dhe pasuritë e tyre”.
“Vërtet, Zoti më ka urdhëruar që të mos i shkëpus lidhjet me ata që më bojkotojnë dhe t’ia fali atij që më ka bërë padrejtësi e t’i jap atij që nuk më jep ”.
“Dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve”
Fol të vërtetën, pashë Krijuesin tënd. Thuaje të drejtën se ta mbush zemrën me erë të këndshme. Përvoja ime është argumenti yt, prijësi i grupit nuk gënjen kurrë! Pra, thuaje e mos ngurro, se nuk ke gjetur kurrë e as nuk ke për të gjetur fjalë që ta zgjeron gjoksin dhe ta rrit shpërblimin.
Përkujtimi i Emrit të Zotit të zbukuron fytyrën dhe pamjen, ashtu siç e zbukuron pamjen e shtëpisë sate një kopsht i bukur me trëndafila të llojllojshëm dhe drunj të shpeshtë gjelbërues. Pra, ai që s'i shijon kënaqësitë e këtij kopshti s’mund t’i provojë kënaqësitë e kopshteve të parajsës. Përmendja e shpeshtë e Zotit të zgjon trupin dhe shpirtin nga vështirësitë, lodhjet dhe shqetësimet e kësaj jete. Jo vetëm kaq, por kjo është edhe rruga më e lehtë dhe e shkurtër drejt shpëtimit.
Lexoi shkrimet e shenjta që të njohësh se ç’është të përmendurit, dhe çdo ditë provoje ushqimin e tij që të arrish shërim. Me përkujtimin e Emrit të Tij largohen retë e zeza dhe shkëlqen dielli i jetës,me përkujtimin e Tij shkrihen kodrat e të këqijave dhe mërzive.
Pra, mos u habit kur përkujtuesit gjejnë rehati dhe mbështetje,se kjo është ajka e esencës, por habitu me ata që janë larg kësaj fushe se si jetojnë dhe si ndjehen.
Ah sa shumë njerëz u ankuan prej pagjumësisë dhe derdhën lotë buzë ngjarjeve të dhimbshme, sepse iu mungonte fjala që përkujton, dhe e cila e zbut egërsinë e tyre. Pra, sa më shumë që
të përmendet Zoti në gojën dhe trurin tënd, aq më tepër do lirohesh nga prangat e rënda të jetës, do të të gëzohet shpirti, dhe pushojë ndërgjegja, pra mbështetu dhe bazohu te Ai, tek i Cili kthehesh përsëri, mendo mirë për Krijuesin tënd që shpresa të t’i hapë dyert e hekurta që të kanë zënë rrugën. Ai është afër teje, e nëse thirret dëgjon dhe i përgjigjet lutjeve. Pra, përulu, frikohu dhe kij respekt para Tij, përsërite shpeshherë Emrin e Tij të bukur me gjuhën që ke, lëvdëro dhe falëndero, lutju dhe kërkoji, se do t’i gjesh kërkesat e tua.