Mos e mbaj globin mbi kokë
Një grup i madh njerëzish në mendjet dhe shpirtërat e tyre mbajnë luftën botërore, e ushqejnë atë dhe e përmbajnë duke qenë të shtrirë në shtretërat e gjumit, e pas mbarimit të asaj lufte ndezëse, në brendësitë e tyre marrin plaçkat dhe peshqeshet e saj të hidhura e shkatërruese, si: sëmurja e lukthit, tensioni i lartë,diabeti, hemoragjia cerebrale dhe kardiake. Bashkë me ngjarjet,digjen e përvëlohen edhe këta të ngratë.
Zemërohen nga ngritja e çmimeve! Brengosen nga vonimi i shiut! Pra, janë në shqetësime të përhershme e ngushtime të vazhdueshme.
“...-e çdo zë e mendojnë se është kundër tyre”
Këshilla që po ju drejtoj është që të mos e mbani rruzullin tokësor mbi koka, lërini ngjarjet mbi tokë e mos i vendosni në brendinë e stomakëve tuaj. Disa njerëz i pijnë lajmet e përhapura të kota dhe gënjeshtrat e kulluara, sëmuren dhe dobësohen për gjëra që s’vlejnë.
Mëshiroje veten, të lutem, se një ditë ajo do të të kërkojë llogari. Mos u dridh i tëri përpara ngjarjeve dhe ndodhirave, e as mos u shqetëso për çdo gjë, se një ditë prej ditëve kjo zemër do
ta rrëzojë bartësin e saj përtokë. Largpamësit e vërtetë para çdo vështirësie dhe pësimi marrin shembuj e mësime, duke iu shtuar besimi mbi besim, ndërsa dritëshkurtërit e vërtetë para çdo tmerri e vuajtjeje i kaplon frika, e cila ua shton dridhjet edhe më fort e i bën të dobët saqë s’kanë fuqi të qëndrojnë në këmbë por gjunjëzohen dhe dorëzohen të raskapitur.
S’ka dhe s’do të ketë gjë më të dobishme se sa zemra trime, e cila nuk luhatet përpara erërave të forta dhe rrotullimeve të saja. Me të vërtetë trimi i vërtetë është ai i cili sakrifikon me vullnet deri sa të ketë gjallëri në trup, qëndron si malet të ngulur thellë, ka bindjen dhe shpresën e fitimit, pa shqetësime të tepërta sheh gjërat që
mund t’i nxehin dhe t’i fusin në kacafytje. Kurse frikacaku është krejtësisht ndryshe. Ai çdo ditë e pret veten me shpatën e ndodhirave të kota dhe ëndërrave të humbura që nuk i takojnë të vërtetës.
Nëse dëshiron të jesh një prej atyre që bën jetë serioze, përballoji ditët e kësaj dunjaje - qofshin të ëmbla apo të hidhura - me trimëri të rrallë durimi, e mos të të mundin ata që nuk i kuptuan qëllimet e kësaj jete, e as mos fut veten në hallk të ngushtë hekuri që t’i kënaqësh armiqtë. Bëhu më i fortë e më i guximshëm se ngjarjet,më i fuqishëm se erërat e kohës, dhe më i qëndrueshëm se shekujt.
Kurse ata që kurrsesi s’pranojnë padrejtësi, janë gjithmonë nën kujdesin e Zotit dhe të sigurtë në premtimin e Tij.
“Andaj Ai u dhuroi qetësimin atyre, dhe së shpejti i shpërbleu me një fitore pas durimit me besim”.