Nëse dëshiron të jesh i pranuar nga te gjithë, i dashur për secilin, i pastër nga mangësitë para syve të botës - po kërkon të pamundurën dhe shpresat tuaja janë veç dëshirë utopike.
Ka njerëz që shajnë Zotin,atëherë ç’pret që të flasin për ty dhe mua, që shumë shpejt rrëshqasim në grackat e të mallkuarit. Në jetën tënde sheh shumëçka prej shpirtligëve e ziliqarëve, goditjet e tyre të forta e pa pikë mëshire priti nga çdo anë, se ata s’kanë qëllim tjetër vetëm se mposhtjes tënde dhe shkatërrimit tënd, ndaj qëndro e vazhdo të përparosh me begatitë e Zotit, dhe mos u dorëzo. Ata nuk heshtin kurrë ndaj teje, dhe s’të lënë të qetë derisa të largohesh prej atyre, ti qëndro se me të vërtetë ai që rri ulur mbi tokë nuk rrëzohet, e njerëzit nuk i gjuajnë me gurë degët pa fryte,po as e shqelmojnë qenin e ngordhur. Ata janë gjithmonë të zemëruar me ty dhe rrinë të gatshëm të të vërsulen sepse ti u lartësove me dituri, moral, a pasuri. Ti për ata je si një mëkat i madh që s’falet dot kurrë, ata do të vazhdojnë të të luftojnë gjersa t’i lëshosh nga dora begatitë e Krijuesit tënd, të zhvishesh nga vetitë e vyera e të biesh në zeron e pavlerë. Nëse i kupton kurthet dhe lajthitjet e tyre, atëherë mos ua vër veshin fjalëve që trillojnë, e
mos u lodh me poshtërsinë e tyre, por bëhu i fortë si guri që s’lëviz lehtë, rri në vend të vet duke ua treguar forcën e ekzistencës së tij kokrrave të breshërit që sado të mëdha të jenë, kur mbi shkëmb pikojnë bëhen copë-copë, e shkëmbi qëndron e s’e gjen gjë. Sa më tepër që të flasin për ty, aq më shumë peshon personaliteti yt. Ti nuk mund t ua mbyllësh gojët, e as që e ke në dorë tua ndryshosh trurin, por ke mundësi ti groposësh të këqijat e tyre dhe t’i lësh mënjanë. Me ta bëj sikur s’i sheh e as nuk i dëgjon, dhe thuaju me vete : “Vdisni me atë mllef tuajin”