Saturday, December 14, 2019

Nxirr nga limoni pijen e ëmbël

Nxirr nga limoni pijen e ëmbël 

I mençuri humbjet i shndërron në fitore, kurse injoranti frikacak, një fatkeqësi mbi kokën e tij e rrit dhe dyfishon. Kur një dijetar e torturuan dhe e burgosën, ai në nuk qëndroi duarkryq në burgun e tij, por nga ajo shtëpi e zezë e me  dhoma të errëta doli si prijës duke e kthyer burgun në një shkollë për të burgosurit. 

Një komentator të njohur, e hudhën në një pus të thellë e të thatë, por nga ajo thatësi doli dhe nxorri 20 vëllime në fusha të ndryshme shkencore, ku nga ky fryt rrjedh kroi i dobisë për 
gjithë studiuesit. 

Ibn el-Xheuziun, njërin prej dijetarëve më të famshëm muslimanë, e dëbuan nga Bagdadi, por largimi nga vendlindja s’e pengoi të bëhet ndër dijetarët më të mirë në botë.

Më dëgjo mirë: nëse mbi ty bien retë e zeza, bindu se nga njëra anë e tyre do të të shkëlqejë drita. Nëse dikush të jep lëngun e thartë të limonit, shtoja sheqerin, e nëse dikush të dhuron si peshqesh gjarpërin, mos e refuzo, pranoje dhe shfrytëzoja lëkurën. Nëse të kafshon akrepi dije se nga helmi i tij do të kesh dobi kundër helmimit të gjarpërinjve. 

Pra, në momentet e vështira mos u humb, jetoji ata në mënyrën më të mirë, mos e ndërprej aktivitetin tënd, se nga kjo kohë do të mund të mbjellësh trëndafila dhe jasmina me erë të 
këndshme.

"Por mund që ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ta doni një send, e ai është dëm për ju” 

Franca para revolucionit të saj të ashpër i burgosi dy poetë të lartë, njëri optimist dhe tjetri pesimist, e ata të dy nxorrën kokat e tyre nga dritaret e burgut. Optimisti ia lëshoi një shikim yjeve dhe qeshi. Pesimisti ia lëshoi një shikim dheut të rrugës fqinje dhe qajti; shiko në anën tjetër të fatkeqësisë; ngase e keqja nuk ekziston vetëm, por aty ka të mira, liri dhe shpëtim. 
“A nuk është Ai që i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret?” 
Te kush drejtohet lypësi i pikëlluar, e te kush mbështetet i lodhuri dhe i raskapituri? Përpara cilës fuqi shtangen krijesat, zërat kur brohorasin cilin përkujtojnë, zemrat cilin dëshmojnë. . .? 
Ska dyshim se të gjithë ne, në çfarëdo gjendje të jemi, i drejtohemi Zotit, i Cili është i vetmi i denjë për tu drejtuar në çdo çast. 

Është borxh i imi dhe i yti vëlla/motër që Zotin ta thirrim në vështirësi e në lehtësi, haptazi e fshehurazi, në terr e në dritë, në vetmi e në shoqëri, të trokasim në derën e mëshirës së Tij, sepse Ai nuk e kthen lypësin duarbosh. Le të derdhim lotin e pastër nga frika dhe devotshmëria ndaj Tij e të qëndrojmë të përulur 
përballë fuqisë së Tij. 
Kuptoje, o njeri, se ndihmën dhe mëshirën e Zotit s’ka kush e pengojë: 
“A nuk është Ai që i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret” 
Nëse gjendesh në thellësirat e detit gati për t’u mbytur, përkujto emrin e Tij me përsosmëri e sinqeritet, se Zotin aty e ke e s’je vetëm.

“Kur hipin në anije (u këputet lidhja me tokën dhe frikohen) i luten sinqerisht Zotit për ndihmë”.
Mos u vetmo në mendime, se të gjitha lidhjet mund të këputen dhe copëtohen përveç lidhjes së Zotit, të gjitha dyert mbyllen dhe shkretohen përveç derës së Tij. Zoti është afër teje, të dëgjon kur e thirr dhe të përgjigjet kur e lut. Të urdhëroi ty, mua e të gjithë neve, që jemi të varfër, të dobët dhe nevojtarë për afrinë e mëshirës së Tij. 
Zoti është i Pasur, i Fuqishëm, i Vetmi; Ai s’ka nevojë t’i ofrojë dikush ndihmë. Na mësoi si ti lutemi: 
“Më thirni Mua, Unë u përgjigjem lutjeve tuaja” 

Kur të godasin telashet dhe shqetësimet, mos ngurro që ta thirrësh Zotin Fuqiplotë, thirre me emrat e Tij të bukur, kërkoje ndihmën e Tij, rehatinë dhe mbështetjen nga Ai. Mundësoja ballit të puthë dheun dhe fytyrës të bjerë në tokë, tregoji vetes se je nevojtar i Tij që të lirohesh nga robëria nga të tjerët, shtriji duart, ngriti shuplakat, zgjidhe gjuhën, shpeshtoje lutjen, kërko shumë, insisto e ngul këmbë, prite mirësinë e Tij, fitoren e Tij, përmbaju Emrit të Tij, përmirësoje mendimin për Të, përkushtoju Atij, kthehu nga Ai fuqishëm që të bëhesh i lumtur e të shpëtosh.