Saturday, December 14, 2019

Mirësia dhe begatia e dhembjes

Mirësia dhe begatia e dhembjes 

Nuk janë dhimbjet gjithmonë të urryera dhe ato që sjellin gjithmonë mjerime e të këqija. Ndodh nganjëherë që robi të jetojë në dhimbje e të ketë dobi. Me të vërtetë, lutja e nxehtë vjen me dhimbjet, adhurim të vërtetë sheh atëherë kur të shoqëron dhimbja. Dhimbjet e nxënësit në kohën e lypjes së diturisë dhe arritjes së saj, durimit të vështirësive të rrepta gjatë kohës së përpjekjeve, bëjnë që ai ta korrë frytin e famës, si një dijetar i fortë e i rrallë, ngase u dogj në fillim e ndriçoi në mbarim. Dhimbjet e poetit dhe vuajtjet e tij kur nëpërmjet rreshtave të thurur i thotë, prodhojnë një kulturë të bujshme. 
Gjithashtu edhe vuajtjet e një shkrimtari nxjerrin vepra të gjalla, e tërheqëse që janë të mbushura plot këshilla e shembuj,mësime e përkujtime. Nxënësi që jetoi pa fije shqetësimi dhe aktiviteti pranë bankave, e as që e lodhi trurin pranë librave, mbetet gjithmonë margjinal, përtac dhe i panjohur. 
Po ashtu edhe një poet, i cili nuk njohu dhimbjet e as që ua shijoi idhtësinë, vetëm se humb kohën në poezitë e tij, se fjalët i mbeten shumë të lira, si një zbrazëtirë e flluskave të shkumës së detit që në fund humbin dhe shuhen. Mbeten të tilla se fjalët nuk dolën nga muskujt e zemrës, por vetëm nga maja e gjuhës. Shembull më të lartë dhe të ngritur kemi jetën e e të parëve të cilët e përjetuan mëngjezin e misionit, rilindjen e popullit, fillimin e shpalljes. Ata që kishin besimin më të madh, zemra të pastra, fjalë të vërteta dhe dituri të thella, ishin të tillë ngase përjetuan dhimbjet dhe vuajtjet më të vështira: uri, skamje e varfëri, dëbim, përbuzje, dhimbje ndarje e izolimi. Ata përjetuan ndarje zemrash, largim ëndjesh, 
dhimbje plagësh, vrasje, dhunë, e masakrime, por përsëri mbeten me të vërtetë shembuj legjendarë, pakicë e zgjedhur, shëmbëlltyrë e 
pastërtisë, simbole të virtyteve të larta,sakrifikues të mëdhenj. 
Në jetën e kësaj bote hasim në njerëz të cilët në momentin më të vështirë dhanë rezultatet më të shkëlqyeshme, nga shkaqet e dhimbjeve të rënda njëri nga ata ishte poeti en-Nabiga i cili qe kërcënuar me vdekje nga mbreti Numan ibn Mundhir, gjë që e shtyu të thurte këtë poezi. 

Tije si dielli e mbretërit si yjet 
Po u shfaqe para tyre, gjurmë yjesh nuk shihen. 

Dhe si shembulli i këtij kemi shumë të tjerë të cilët u dalluan në jetën e kësaj bote, për shkak të dhimbjeve. Atëherë pra, mos u frikëso nga dhimbjet e as nga vuajtjet, se ndoshta është fuqi për ty dhe kënaqësi deri në një kohë të caktuar, ngase nëse jeton zemër të coptuar e shpirtdjegur, je më i butë, më i mprehtë, më i 
ndjeshëm, se sa të jetosh i painteresuar dhe shpirtngushtë.

Këtu kujtoj një luftëtar dhe poet që jetoi në dhimbje, vuajte e ndarje. Këto fjalë i tha në momentet e frymës së fundit. Duke dhënë frymë, ai tha këto fjalë: 

A nuk më pe kur dhashë të humburën, e mora të drejtën? 

Iu bashkangjita ushtrisë dhe eca të përpjetën? 

Ah sa e mirë ish ajo ditë kur me dëshirë lashë vendin, mallin dhe fëmijët. 

Qëllim pata idealin dhe të mirat e Zotit t’i arrij. 

Shokët e mi të rrugës, ndaluni, se vdekjen e shoh si më troket.
Ndoshta tash përfundoj, apo ca ditë këtu kam me mbet’. 

Me mua një ditë apo ca ditë qëndroni, e mos shpejtoni. 
Se duart tuaja, nga trupi im i coptuar, shpejt do t’i lironi. 

Me majat e shigjetës që luftova, varrin tim ma çelni,

Një skaj të xhybes shkoqeni e syt hapur mos m’i leni. 

Mos ma bëni varrin e ngushtë, në këtë tokë të gjërë, 

Shtëpinë tokën në fund ne kemi, të gjithë do na nxërë.

Deri në fund të zërit që herë i ndalej e i ndërpritej, nxirreshin këto fjalë. Me nxjerrjen e dhimbjes së shpirtit dhe me lotë e ofshama mbetën fjalët e fundit për të gjithë ata që do u lexojnë si një vullkan që lë gjurmët e tij të pazhdukshme. 

Këshillat, ligjëratat, fjalët që rrjedhin me flakë zemre, arrijnë dhe zënë vend në brendësinë e saj, notojnë në thellësitë e shpirtit, ngase ai që i flet i jeton ato dhimbje e përvëlime. 

Shpesh kam lexuar vepra të ndryshme në temat shkencore, posaçërisht në temat që të ngjallin shpirtin, por s’e kam gjetur ne fjalët e tyre atë fuqi që të dridh e të rrënqeth, për shkak se janë shkruar nga të palodhurit dhe të pamunduarit, që vetëm dorën dhe gojën kanë lëvizur, se brendinë e kanë patur larg asaj që ka shqiptuar gjuha. 

“Flisnin me gojë atë që s’e kishin në zemra”

Nëse dëshiron të ndikosh me fjalën dhe poezitë e tuaja, mos fol e as mos shkruaj, përpos ato raste e ngjarje që të kanë djegur. 
Nese nuk di se ç’nxehtësi ka flaka e zjarrtë mos u mundo t’ua tregosh të tjerëve, se nuk do të ndikosh tek ta. Le të jetë fjala jote ajo qe do te ngjallë ndjenjat e njerëzve si uji që ngjall tokën pas thatësisë.