Thursday, December 12, 2019

Një përmbledhje e shkurtër rreth përvojave të mia nga librat! Ky është udhëtimi im në botën e librave.

Një përmbledhje e shkurtër rreth përvojave të mia nga librat! 
Ky është udhëtimi im në botën e librave. 

Kam mësuar gërmat e në çdo gërmë ndjeja një emocion.
Kam mësuar fjalët e në çdo fjalë udhëtoja nëpër botë.
Kam mësuar fjalitë e në çdo fjali zbuloja thesare.
Kam mësuar vargje poetike ku në çdo varg kam qarë,kam qeshur,jam nervozuar, jam vrarë e jam shëruar. 
Kam kritikuar e lavdëruar,jam ushqyer e kam shuar etje.
Kam mësuar vargje poetike për fëmijë që as burrat nuk i kuptonin,e vargje burrash në gojën e fëmijës ishin më burrërore!
Kam mësuar vargje me të cilat jam rritur,kanë depërtuar në gjak e në asht,janë bërë oksigjen dhe lot gëzimi e lot dhimbjeje.
Kam lexuar poezi nga poetë të panjohur,kam lexuar poetë madhështorë që veç emrin kanë patur.
Kam lexuar poetë hajdutë që lavdërohen me djersën e tjetrit.
Kam lexuar poetë që nuk dinë të lidhin dy fjalë.
Kam lexuar poetë pa emër që hedhin gjakun në letër në vend të bojës.
Kam lexuar poetë dhe poetucë ; njëri është vrarë për shkak të dy vargjeve e tjetri është bërë i famshëm për shkak të servilizmit.

Kam udhëtuar nëpër libra ku jeta ime ndryshoi,libra historikë të cilët më dhanë një tjetër panoramë për botën,për njerëzit,për luftën dhe për paqen! 
Kam gjetur boshllëqe dhe gremina mbushur me viktima imagjinarë,kam gjetur viktima pa emër dhe emra pa varre. 
Kam gjetur kurthe dhe intriga të lëna aty qëllimisht për të rifilluar luftra dhe përplasje interesash dhe qytetërimesh.
Kam gjetur luftë të pa mbyllur e cila ka marrë tjetër pamje dhe herë pas here kjo pamje ndryshon për të vazhduar luftën.
Kam gjetur heronj imagjinarë dhe heronj të panjohur,kam gjetur emra heronjsh që sot quhen tradhëtarë dhe emra tradhëtarësh që sot lavdërohen për heronj.
Kam gjetur mistere që marrin interpretime sipas interesave djallëzore.
Kam gjetur prova për të cilat askush nuk merr guximin të flasë.
Kam gjetur ide për të cilat është më mirë të rrinë në heshtje.
Kam gjetur thesare mbushur me viktima e viktima që janë thesar më vete.
Kam gjetur popuj të zhdukur nga veprat e tyre makabre të mbushura me zullume të frikshme në emër të idhujve të tyre!
Kam gjetur qytetërime pa njerëz e njerëz pa qytetërimin e tyre.
Kam gjetur të vërteta të plota,gjysëm të vërteta dhe gënjeshtra që shiten për të vërteta!

Kam lexuar filozofi të ndryshme nga filozofë të humbur në botën e tyre.
Kam lexuar filozofë qesharakë që kanë mbyllur jetën e tyre të mjeruar nga mos kuptimi i jetës.
Kam lexuar filozofë që sollën risi të reja në jetë.
Kam lexuar filozofë që skanë bërë gjë tjetër veçse kanë kritikuar filozofë të tjerë.
Kam lexuar filozofë që ishin lojtarë të aftë dhe xhonglerë të fjalëve dhe ideve.
Kam lexuar filozofë që kanë sakrifikuar vdekjen e miliona njerëzve për të triumfuar ideja e tyre.
Kam lexuar filozofë që kanë urryer filozofinë dhe filozofi të bukur nga filozofë të cilët nuk e quanin veten filozofë!
Kam lexuar filozofë që me idetë e tyre kanë devijuar nga rruga e Zotit njerëz të shumtë.
Kam lexuar filozofë që kanë hequr dorë nga filozofitë për hir të Zotit!
Kam lexuar filozofë hipokritë të veshur me petkun e teologut dhe teologë të veshur me rreckat e filozofit!

Kam lexuar teologji që vetëm emrin kanë,teologji e cila ska aspak lidhje me Zotin.
Kam lexuar teologji të shtrembëruar gjatë shekujve nga intrigat sektare!
Kam lexuar teologji të drejtë që shtrëmbërohet nga besimtarë injorantë.
Kam lexuar teologji të bukur që është nxirë nga manipulimet e teologëve të tjerë!
Kam lexuar teologji që kanë hedhur rrënjë të përjetshme në zemrat e njerëzve.
Kam lexuar teologji që kanë hedhur rrënjë të thella në ndërtimin e kulturave të ndryshme botërore.
Kam lexuar teologji e cila ka urtësi për gjithçka dhe gjithçka për çdo gjë!
Kam lexuar teologë që vetëm emrin kanë.
Kam lexuar teologë nga veprat e tyre të përditshme të cilët me shembullin e tyre të mësojnë një mal me libra!

Kam udhëtuar në botën e librave ku kam jetuar mijëra vite përvojë!
E për çudi, këto përvoja nuk më kanë ngopur kurrë.
Prandaj vazhdoj të udhëtoj pa fund nëpër faqet e librave.
Do të vazhdoj derisa të kem jetë me shpresën se një ditë do të jem dhe unë nëpër faqet e librave ku dikush do më gjejë në emocionet e çdo gërme që kam hedhur,në çdo udhëtimet e çdo fjalëve dhe të zbulojë thesaret e mia në fjalitë e fshehura!
Të lexojë diçka nga vargjet e mia ku kam derdhur djersën e jetës dhe gjakun e zemrës së vrarë.
Të lexojë qoftë dhe një varg për të qeshur me qëllim për të hequr mërzinë e jetës kur ta kaplojë.
Të lexojë ndonjë varg fëmijësh a burrash me qëllim që herë të ndjejë fëmijën brenda vetes dhe herë të gjejë burrërinë përballë luftës së jetës. 
Të lexojë qoftë dhe një varg për marrë frymë,për të marrë ushqimin e ditës dhe ujin kur shpirtin ta ndiejë të tharë!
Të lexojë qoftë dhe një varg për të qetësuar nervat apo të nervozojë dikë që ka rënë në qetësinë e injorancës!
Të lexojë jo për të më njohur sepse skam dashur kurrë të njihem por për të ndjerë çdo varg timin gjatë jetës!
Të lexojë qoftë dhe një varg për të dalluar poetët e vërtetë nga poetucët hajdutë!
Të lexojë nga idetë e mia për të zgjuar ide të reja në veten e tij!
Të lexojë për të hetuar pak nga historia ime për të mos humbur në rrënojat e tradhëtisë të hipokritëve!
Të lexojë pak filozofi jo për të imituar filozofët por për të zgjuar pak nga filozofimi e tij që rri fshehur në misteret e mendjes!
Të lexojë në fillim,mes dhe fund në çdo gërmë fjalë,fjali,ide,zbulime e mistere që ta bëjë udhëtimin të këndshëm dhe plot mësime të rëndësishme për ata që do e lexojnë një ditë!
Udhëto dhe ti mes librave duke lënë gjurmë të tuat të udhëtimit për ata që do vinë pas teje!