Largohu nga e keqja dhe njerëzit që e ushqejnë atë, qëndro larg atyre që s’dinë ta vlerësojnë kohën. Kur të hasësh në kësilloj grupesh shpejto pak më tepër në të ecur dhe fute kokën në çerdhen tënde, në shtëpinë dhe kopshtin tënd. Kështu do të jesh më i qetë, truri të pushon më mirë, zbukuroje mendjen dhe zhvilloje me gurët e çmuar të moralit, që sytë të të depërtojnë më mirë nëpër qoshe e ta njohësh oqeanin shkencor. Vërtet, të izolohesh nga çdo gjë që të largon nga e mira dhe respekti është ilaç i fuqishëm dhe i suksesshëm për qetësim e rehati shpirtërore, dhe unë po ta këshilloj fuqishëm këtë ilaç. Të
largohesh nga e shëmtuara dhe e kota do të thotë ta pushosh trurin, ta ngritësh ligjin e frikërespektit, t’ia festosh ditëlindjen pendimit dhe përkujtimit.
Takimet e lavdëruara vërtetë janë ato gjatë lutjeve dhe tubimeve të diturisë dhe solidaritetit të mbarë, ndërsa nga tubimet boshe dhe të kota të kesh kujdes! Të kesh kujdes! Ik me lëkurën
tënde, qaj për mëkatin tënd, kontrollo gjuhën! Le të të mjaftojë shtëpia jote, ngase të përzihesh me barbarët do të thotë ta luftosh me dhunë shpirtin tënd, ta kërcënosh rrezikshëm botën e sigurisë e të qetësisë së shpirtit tënd. Kjo sepse ti po ulesh me padronët e thashethemeve, me mjeshtrat e mashtrimeve dhe me mësuesit që të përgëzojnë me sprova, telashe e kokëçarje derisa të duket se vdes për çdo ditë nga shtatë herë para se të të arrijë vdekja e vërtetë.
“Edhe sikur të dilnin me ju, ata s’do ju shtonin tjetër pos ngatërresës”
Prandaj, shpresa ime e vetme është që ti t’i qasesh çështjes tënde dhe të izolohesh në dhomën tënde, veç nëse ke ndërmend të flasësh a të veprosh mirë, me ç’rast do të vëresh se si zemra jote do të kthehet te ti. Shpëtoje kohën nga kaosi, jetën nga pakuptimësia, gjuhën nga përgojimi, zemrën nga shqetësimi, veshin nga vulgariteti, shpirtin nga mendimi i keq, e kush provon ia del, ndërsa atij që hyp në transportet e iluzioneve dhe shthurret me të tjerët, thuaji: gjithë të mirat!