Saturday, December 14, 2019

Shikoi të tjerët që janë më keq se ti

Shikoji të tjerët që janë më keq se ti 

Ktheje shikimin djathtas e majtas, vallë a sheh tjetër gjë pos njerëz që bartin fatkeqësi? A të bie shikimi në diçka tjetër pos në njerëz të lodhur që harruan se ç’është qeshja? Në çdo kulm çatie ka vaj, mbi çdo mollzë të fytyrës lot, e në çdo luginë s’sheh dot gjelbërim. Ah, sa e sa njerëz jetuan ditë të zeza, por s’i shohim  ndryshe pos durimtarë që balli i tyre çan çdo të keqe. E ti mos rri me duar në faqe se s’je i vetmi që pin këtë lëng të hidhur,madje kjo që të ndodhi është shumë e lehtë dhe e vogël, në krahasim me të tjerët. Shih sa të sëmurë kemi që mbi shtratet e tyre rrotullohen në të majtë e në të djathtë, trupi u çel plagë dhe nga dhimbja e madhe bërtasin me zë trishtues, por përsëri mbeten aty ku janë, në po atë gjendje. 

Po sa të burgosur me vite të tëra s’e panë diellin dhe as s’i ngrohën sytë me rrezet e tij? Ata s’shohin gjë përveç dhomës së errët të burgut, në ato dyer të hekurta hyjnë kur qenë fëmijë, e prej saj dolën pleq me mjekra të zbardhura e me trup të rrënuar! 
Po sa prindër humbën copën e mushkërisë së vet, e mbetën pa fëmijë, pa djem e pa vajza, por prapë jetojnë dhe megjithë këtë dhimbje të madhe shpirtërore qëndrojnë të fortë. Tani erdhi koha për ty që të krenohesh me qëndrimin e durimit të këtyre burrave të durimit.Mësohu vëlla/motër dhe bindu fort, se kjo jetë për njeriun e vërtetë është burg, e asgjë tjetër që mund ta lakmosh. 
Kjo jetë është shtëpi vajtimesh e vuajtjesh, që pallatin ta shndërron në kasolle me mure të shkatërruara dhe ta quan kulm i rrënuar. Një kohë shumë të shkurtër të shfaqen në këtë teatër gjithësie, vasha e djem me trupa të bukur, shëndet të plotë, pasuri, fëmijë! Dhe pas një kohe të shpejtë, s’i sheh ndryshe, pos plaka me 
trup të rraskapitur, të pafuqishme, të varfra, sheh vdekje, ndarje,skamje, sëmundje...

Ty tani të mbetet t’i peshosh dhe të bësh krahasimin e goditjeve të tua me të tjerët, me ata që qenë para teje në rrugën e kohës së jetës, që ta dish se ende s’të kanë prekur të vështirat dhe ende lundron në begatitë e Zotit. Falëndero Zotin që s’të lëshoi të ligat e pakapërcyeshme. 
Kjo pra, është jeta dhe kështu e ka shijen. 

“Po ju menduat se do të shijoni mirësitë e përhershme pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur"!?