Kjo është dita jote
Kur të zgjohesh në mëngjes, mos e prit mbrëmjen, se ndoshta kjo ditë e jotja është e fundit dhe s’të pret koha të mendosh për të djeshmen që kaloi, e as për të nesërmen që akoma ska ardhur. Kjo ditë që rrezet e diellit të saj të ngrohin dhe arrite t’ia shikosh dritën është vetëm e jotja. Jeta jote është një ditë e vetme, në mëngjes ngjallesh e në mbrëmje vdes, dhe nuk kthehesh më. Pra mos e humb këtë ditë që peshon sa jeta, bëhu i kujdesshëm brenda këtyre orëve të kufizuara, dhe vepro me seriozitet,adhuroje Krijuesin dhe lutu me kujdes, lexo shkrimet e shenjta dhe me vëmendje të plotë shih ç’kërkohet prej teje. Ji i
kompletuar me trup, me zemër dhe me mend kur ta përkujtosh Zotin e të qëndrosh përpara Tij, peshoji veprat tuaja dhe vështro se cila anë të rëndon më tepër, krijo moral të lartë për veten tënde dhe pajtohu me atë që Zoti caktoi për ty, përpiqu të bësh mirë për të tjerët, se vetëm sot je i gjallë, pra shfrytëzoje rastin e fundit...! Nga orët e kësaj dite vepro mirë dhe nxirr dobi për veten tënde, sikur të ishin vite, dhe nga minutat
e orëve të saj kërkoji falje Zotit për mëkatet e tua sikur të ishin muaj; përgatitu për herën e fundit sikur do të udhëtosh në mbrëmje. Jeto edhe sot dhe qëndro i buzëqeshur, i qetë e i butë, kënaqu me atë që të erdhi nga Zoti i Madhëruar, kënaqu me fëmijët e tu, bashkëshorten tënde, me familjen dhe shtëpin tënde se edhe sot i keni para syve, mos hidhëro askënd në momentin e fundit, se nuk kthehesh e as nuk i sheh më në këtë botë.
“Merr atë që të dha Zoti dhe bëhu mirënjohës”
Nëse sot ke ngrënë ushqim të shijshëm, të ngrohtë, a të dëmton ushqimi i djeshëm i thatë e i ftohtë, apo ushqimi i të nesërmes që s’e di se si do jetë?! Kur sot pive ujin e freskët, të pastër e të ëmbël, pse brengosesh për ujin e turbulluar e të njelmët që pive dje?!
Kij besim në vetvete e le të jetë e qartë kjo ditë për ty. Kur t’i drejtohesh ndërgjegjes sate e ti flasësh dhimbshëm, thuaj: Vetëm për sot do t’i korrigjoj fjalët që m’i nxjerr goja, e nuk do shqiptoj fjalë të ndyta, sharje, fyerje, përgojime. Vetëm sot do t’i kushtoj rëndësi pastërtisë trupore, dhe do të jem i matur në të ecur, në
lëvizje dhe fjalë, se nesër s’do të jem. Për këtë ditë jetoj, sot do t’i bëj vend në zemër dobisë, do të mbjell në të dashurinë, sinqeritetin, drejtësinë ndaj vetes dhe të tjerëve, ndërsa drurit të së keqes,arrogancës, xhelozisë, e kokfortësisë do ia këpus degët dhe gjembat, e do ta ç’rrënjos.
Vetëm për sot do të jetoj dhe do u ofroj të mirën të tjerëve,do ta vizitoj të sëmurin, ushqej të uriturin, ndihmoj të dobtin,qëndroj pranë të ngratit që i është bërë padrejtësi, nderoj dijetarin, mëshiroj të voglin, respektoj plakun.
Vetëm për ty o e sotme jetoj, e nuk të kujtoj ty o ditë e djeshme e të humbi të sotmen, se ti shkove dhe përfundove, rrezet e tua perënduan si ato të diellit.
Nuk lotoj për ty, e as nuk të ëndërroj, se ti na lë dhe ike prej nesh, e s’do të kthehesh më kurrë. Ty o ditë e nesërme që gjendesh në botën e panjohur nuk të jetoj në ëndërra, e as ta dhuroj
veten me gjëra të paqarta, sepse ti s’je asgjë, pasi ende nuk ke arritur, e as që je e përmendur! Për ditën tënde o njeri, rezervo vepra në fjalorin e lumturisë..
Mos u bëj rob i të ardhmes, prite sa të vijë.
Mos vepro para kohe, a dëshiron të nxjerrish foshnjen para plotësimit të muajve, e ta këpusësh frytin para se të piqet?! Është marrëzi ta tresësh mendjen atje ku s’ke punë, e nesërmja është e humbur dhe e fshehur, ti s’e di se si të vjen, e ç’të sjell me vete.
Përse, pra, ta lodhim trurin në imagjinata që s’do të ndodhin,apo të angazhohemi me ngjarje që nuk do na godasin? Ndoshta largohesh nga kjo botë që sot, para se të vijë e nesërmja, a mos kujton se e kalove urën pa shkelur mbi të - kush e di? Ndoshta këmbët na këputen para se të arrijmë te ura, apo ura rrëzohet para se ta mbërrijmë, por ndodh që edhe të kalohet ura pa ndonjë të keqe. Të lodhësh trurin me mendime për të ardhmen, se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe të orvatesh ta çelësh librin e së panjohurës e të të tregohen ndodhirat është diçka e papëlqyer që sjell shqetësime të panevojshme, sepse shumica e njerëzve në këtë botë përfytyrojnë se në të ardhmen do mbeten të urritur, lakuriq, të sëmurë, të varfër, gjë që nuk ekziston në botën e panjohur të tyre, por është vetëm pëshpëritje e zbukuruar e djallit të mallkuar.
“Djalli ju frikëson me varfëri e ju urdhëron për të këqija,por Zoti ju garanton falje e begati”
Ka njerëz të shumtë të cilët besimi i dobët i shtyn të qahen se do të ngelin të uritur apo do të sëmuren pas një viti. Jeta jote dhe furnizimi yt s’janë në dorën e njeriut që të mbetesh në udhëkryq, ndaj mos e zhyt veten në mëkate, sepse ti as që e di se kur dhe ku do të vdesësh, prandaj mos u angazhoni me gjëra të kota e ta mbysni veten para kohe me strese.