Në kryqëzim të mendimit tim shëtitës
Me udhën e zjarrtë të një ylli të këputur,
U ndërtua çuditshëm udhëkryqi tronditës
Mes dashurisë sime
Dhe të ardhmes,
Përtej dritës.
E ardhmja s'është kurrë e vërtetë!
E tanishmja është vetëm flakërimë!
Yjet që bien, si ne, nga errësira vijnë
Dhe varrosen prapë, në errësirën E Tokës,
që s'e do dashurinë.
Dheu s'e do dritën.
As mendimin ...
Prandaj yjet digjen lart.
Prandaj dashuria nuk varroset.
Prandaj mendimi përjetësisht lodhet,
Të gjejë në ajër a në lëndë të panjohur
Shpirtin e lirë dhe të pasosur!...