Tuesday, August 23, 2016

Dhimbja e pabesë

Dhimbja e pabesë

Një dhimbje e pabesë më shket nëpër zemër,
E ndoshta është dhimbja e rrjedhës së kohës›,
Që shqyen gjoksin tim,
Si përroi i turbullt e gërryes i egër
Kur shqyen Gjoksin e malit të vjetër!
Dhe ndoshta është ecja e rrjedhës së kohës,
E kohës së huaj që dhimbje prodhon e dhimbje shijon
Dhe përmes dhimbjes me qejf kumton
Të bëhem gati për ndarjen e ligë,
Ndarjen pa kthim, me diellin
Dhe të dashurën,
Ajrin dhe të dashurën e gëzimit tim!
Por koha e mbrapshtë e vdekjes u vonua
Për të fituar, në Humbje,
Me mua!
Se unë kot, kurrë nuk e prisha
Kohën e dritës!
Përzjeva shpirtin me dashurinë
Dhe, pa lakmi,
Dhe pa pendim,
Me të dashurën, krijuam bashkë
Përjetësinë!