Eshtë një rrugë
Është një rrugë pa fund, e dashura ime,
Është një rrugë që nis tek unë,
Fillon tek unë dhe vjen tek ti,
E dashura ime, është një rrugë...
Është një rrugë, që më sjell te ti,
Me veten time të ndarë dysh,
Me veten time në ardhje të lirë,
Por dhe në ikje,
Njëkohësisht.
Është një rrugë, që më shpie në mal,
Sepse në mal arratisem vetëm,
Është një rrugë që më shpie në pyll,
Sepse në pyll luaj me jetën,
Është një rrugë që më shpie në yll,
Sepse në yje fsheh të vërtetën,
Eshtë një rrugë, që gjithandej
Shkon edhe vjen e nuk më tremb,
Sepse ndriçohet përjetësisht
Nga drit' e zezë e syrit tënd!
Është një rrugë që te ti vjen,
Nga zemra ime dhe nga mendja,
Nga shpirti im, tej e përtej...