Edhe dielli ikën
Unë iki. Edhe ajo ikën.
Edhe dielli ikën.
Edhe hëna ikën.
Edhe toka ikën.
Edhe zemra ikën.
Nga diçka dhe dikush ikim të gjithë,
Në çdo çast, Herë me trup, herë me shpirt.
Në ikje kërkojmë një njeri,
Kërkojmë një vend
A një gjendje
Tjetër.
Në ikje të marrë kërkojmë ndryshim.
Në ikje të çartur kërkojmë gëzim...
Mbasi ecim,
Të kapitur në ikje gjithë jetën,
Kuptojmë që jemi vërtitur
Në boshllëkun e pa ndryshuar
Të vetes.
Nga vetja nuk ikëm dot!
Po ne nga vetja e mëparshme duhej
Të iknim,
Pra, Jemi lodhur kot!
Në çastin që kuptojmë,
Vdesim! Pa rrojtur...